Diskursi mbi tangat në plazh m’u duk ma joshës se diskursi ejakulues se kush do e bën qeverinë. Ajo s’ka ku ik, do bëhet, o qurrane o hazgane – do del disi, dilema ime është sa e hapur do jetë ndaj tangave në plazh ? Ah ato, tangat, kanë kaq shumë ngjyra…mendo ti sa qeveri e fortë duhesh me qenë për të kuptuar thellësinë e lirisë që sjellin ato plazheve…
Nga Adelina MARKU
Femrat me të madhe mbajnë tanga në plazh! Me rrethore ose pa rrethore të bëshme e të hijshme, s’ka gjë, ata e jetojnë veten në plazh edhe me tanga! Bukur fort! Sa për veten time, unë begatohem edhe më shumë tek I shoh femrat të dinë t’a përjetojnë veten kaq femnisht! Ngre kokën lart në qiell dhe I them: “Të faleminderit, vazhdo – bëje mirë edhe mëtej o Zot. T’a mirëkthefshim bekimin për lirinë me veten tonë’”! E kështu shpesh murmuris unë një faleminderim Zotit për të mirat që na i jep. “Nuk ka femër të shëmtuar’”! – më thotë një mik imi i cili përmes kësaj fraze me gjasë dëshiron të më bindë se femra është inspirimi i eliksirshëm i tij! Sipas kësaj logjike, i them unë, nuk ka as mashkull të shëmtuar, e për t’iu gjegjur mëtej, sepse eliksir inspirimi për ne femnat mbeteni ende ju, meshkujt! Hmmm, ai hingërin kandshëm, si një hamshor, tek dëgjon këtë prononcim lehtësisht të sajuar nga ana ime! Sa për veten time, përsëri e them, unë kam respekt për këta meshkuj të cilët dinë t’a përjetojnë femrën përmes eliksirit “respekt’” e “mahnitje’” shtrydhur kaptinave e brendive tyne, prandaj dhe burrnive! Mirë fort ë! Le mos i harrojmë do kënaqësi bazike që na krijon ky respekt i ndërsjellë mes gjinive …prandaj dhe, aty ku ka respekt ka dhe garë, e aty ku ka garë ka dhe progres!
Këtyre ditëve, pati një diskutim nëpër rrjetet sociale e media mbi rrumbullakoret e femrave të shpërfaqura përmes vijës tangës në plazh; I gjithi nisi kur një artist, mashkull, foli me denigrim për rrumbullakoret e femrave që nuk ishin sipas shijes së tij! Nuk qenkërkan tangat për secilën rrumbullakore! – kështu gjykoi ai . E t’u hazdisën e lemeritën femrat, xhindosshëm e harlisshëm iu drejtuan atij me: “Rrumbullakoret janë tonat, janë muskul yni, ato nuk i shpërfaqim për sytë e tu!’” Hej medet sa më pëlqeu ky diskurs amazonkash, kisha me i quajtë këta reaguese reflektuese e hazdisane e sa për spikamë teksti! “Kush je ti more të gjykosh për rrumbullakoret e mia!?”, kështu disi ishte toni i përçmimit që femrat ia bënë artistit mashkull. Ky shkretani nuk bzajti më! Hah, strukthi! Pale, ata meshkuj që nuk dinë të pranojnë realitetin e vetëknaqjes së femrës, janë një copë të druajturish e që me gjasë kanë frustrimet nga burrnia minimaliste ose edhe maksimaliste e tyne! Sepse pa hov skofiar burrnor s’bëhet as ai femnori, e pa kuptuar lirinë që tanga mes rrumbullkaoresh i nep një krijese, hovi I tillë mbetet hajvan!
Diskursi që hapi dilema mbi tangat, nga ana ime u lexua ndryshe, pra, shoqëria këtej po ndryshon! Në esencë ajo po hapet padikutueshëm, por prandaj dhe rezistenca ndaj kësaj hapjeje pritet të jetë më e madhe, edhe më e ashpër, edhe më e paskrupullt, edhe më seksiste! Kjo pritje ngjan e këtillë, ngase padyshim ne jemi shoqëri e parafinuar, biles jemi e vrazhdë dhe preferojmë palëvizshmërinë, duke e përbrenduar e konservuar primitivizmin tonë ! Sa e ngathët kjo shoqëria jonë! Ndaj unë po shkruaj me qëllim për tangat mesrrumbullakoresh femrave në një kohë kur gazetaria po trenohet të kuptojë nëse Ky ose Ai do bëjë qeverinë, bile paragazetaria e këtejanëve me shpërthime ejakuluese mbush portalet me kësi spërkamash – thu ti se Kryesuesi I asaj qeverie laramane ose monolite do mërzitet për lumturitë e tyre bazike, (ndërsa as për afër të dëgjuar nuk I kanë 5 nevojat nga hierarkia e Maslow! Of breeee…). Hahah, ndërsa mua ndaj dhe më vjen ti pyes: “Mbani tanga ju Zotëri, Zonjë?!’” Dhe nuk bëj ironi për bes, sepse në këtë çast, analiza e diskursit të debatit mbi tangat në plazh më duket më e rëndësishme se kush do bëjë Qeverinë. Tangat në plazh, në kuptimin tim, e kremtojnë mirënjohjen e femrës bërë vetes tuj harlisë nurshëm lirinë personale! Ka të bëjë me shijimin e vetes dhe aspak me pozën për tjetrin! Tangat në plazh qeverisë së re po ia gatuajnë një mesazh se, konteksti po ndryshon në shoqëri! Ndërsa gazetaria, nuk duhet lënë pa evidentuar këtë ndryshim ( “ndryshim’” nuk janë qeveritë këtej o njeri!!!)e që politologët të dinë të matin kurbën e hapjes së shoqërisë mëtej! Prandaj, diskursi mbi tangat në plazh m’u duk ma joshës se diskursi ejakulues se kush do e bën qeverinë. Ajo s’ka ku ik, do bëhet, o qurrane o hazgane – do del disi, dilema ime është sa e hapur do jetë ndaj tangave në plazh ? Ah ato, tangat, kanë kaq shumë ngjyra…mendo ti sa qeveri e fortë duhesh me qenë për të kuptuar thellësinë e lirisë që sjellin ato plazheve…
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)