Shkup, 28 janar – Në Drejtorinë e doganave sot u mbajt takim bilateral me përfaqësues të lartë të Doganës së Austrisë, ku, mes tjerash u prezantuan edhe hollësi për aktivitetet nga projekti i ri IPA, që do të fokusohet në kapitullin 16-Tatimimi dhe 29-Unioni doganor, ndërkaq i cili do të realizohet me ndihmë eksperte të Austrisë, transmeton gazeta KOHA.
Delegacioni i Austrisë, i kryesuar nga zëvendësdrejtoresha e Doganës së Austrisë, Betina Vogl-Lang u takua me drejtorin e Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski dhe drejtoreshën e Drejtorisë së të ardhurave publike, Sanja Llukarevska, ku mori pjesë edhe ambasadori i Austrisë në vend, Georg Vucas. Në takim u shpreh kënaqësi nga bashkëpunimi i deritanishëm dhe u paraqitën pritjet nga projektet e ardhshme të përbashkëta ku institucionet tona nacionale me besim dhe falënderim të madh mbështeten në ndihmën dhe përvojën profesionale të kolegëve të vet nga Austria, kumtuan nga Drejtoria e doganave.
Në pjesën e dytë të takimit, siç ceket, biseduan përfaqësuesit e Drejtorisë së doganave të RMV-së dhe kolegët dhe bashkëpunëtorët disavjeçarë nga Austria, Verner Tiri, udhëheqës i Sektorit për organizim dhe menaxhim në Doganë dhe për bashkëpunim ndërkombëtar, Majkëll Prashak, udhëheqës i Sektorit për rregulla doganore dhe projekte dhe programe ndërkombëtare dhe Andrea Rojter, udhëheqës i Filialit doganor në Vjenë dhe rajonin jugor të Austrisë.
U bisedua për rezultatet e fundit në zhvillimin e shërbimeve doganore të të dy vendeve, vizitat e punës në suaza të programit Dogana 2020 dhe organizim të aktiviteteve lidhur me TAIEX. Njëherit u hap edhe diskutimi për aktivitetet e ardhshme në korniza të projektit IPA “Përmirësim i pagesës së të ardhurave dhe rregullat doganore dhe tatimore”, që do të zbatohet përmes katër komponenteve në kohëzgjatje prej 36 muajve dhe për çka janë dedikuar mjete në vlerë prej 3,5 milionë euro, dedikuar për Ministrinë e Financave, Drejtorinë për të ardhura publike dhe Drejtorinë doganore. U këmbyen informata edhe rreth fushave të tjera të bashkëpunimit të mundshëm jashtë tuining projekteve, qëndron në kumteësn e Drejtorisë së doganave.(koha.mk)