Shkup, 19 maj – Përfaqësuesi holandez Dankan Lorens me këngën “Arcade” fitoi në zgjedhjen e sivjetme të këngës më të mirë në Eurovision, që u mbajt në Tev Aviv, Izrael. Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut Tamara Todevska me këngën “Proud” (Krenare) u rendit në vendin e tetë, më të lartin që vendi deri tani e ka arritur në Eurovizion, transmeton Koha.mk
E dyta u rendit Italia, ndërsa vendin e tretë e fitoi përfaqësuesi i Rusisë. Vendin e katërt e fitoi Zvicra, ndërsa të pestin Norvegjia.
Maqedonia e Veriut fitoi 12 pikë nga Austria, Britania e Madhe, Shqipëria, Moldavia, Serbia dhe Zvicra, ndërsa Tamara gjatë pothuajse tërë votimit ishte në maje të listës.
Todevska votimin e jurisë e përfundoi në vendin e dytë me 237 pikë, pas Suedisë me 239 pikë, ndërsa në fund të votimit të publikut u rendit në vendin e tetë.
Kjo ishte renditja më e mirë e vendit që kur merr pjesë në Eurovizion nga viti 1998. Paraprakisht plasim më të mirë vend ka pasur në vitin 2006 ku u rendit në vendin e 12 me përfaqësuesen Elena Risteska me “Ninananajna”.
Autorë të këngës “Proud” janë Robert Bilbilov, Darko Dimitrov dhe Lazar Cvetkosi, ndërsa teksti është i Kosta Petrov dhe Sanja Popovskës. Vokale shoqëruese janë Aleksandra Janeva, Antonija Gogovska dhe Vasul Garvanliev.
Në finale morën pjesë 26 vende, ndërsa mund të votonin të gjitha pjesëmarrësit gjegjësisht 41 vende.
E para ka performuar Malta ndërsa e fundit Spanja.
Këngëtarja e Shqipërisë, Jonida Maliqi, u ngjit në skenë e dyta duke bërë një interpretim të shkëlqyer të këngës së saj, “Ktheju Tokës”.
Ajo pati një paraqitja të dinjitetshme, por nuk arriti që të rangohet shumë lartë në listën përfundimtare, duke marrë kështu vendin e 18-të.
Nga juria profesionale Jonida mori 43 pikë dhe 47 nga votat e publikut, me çka në total grumbulloi 90 pikë, duke u renditur e tetëmbëdhjeta.
Megjithatë, pjesëmarrja në finale ishte tashmë veçse një fitore e shtetit shqiptar, që arriti që në një mbrëmje kaq të madhe të konkurrojë krah 25 shteteve tjera të Evropës.
Performanca e Jonidës u veçua lartë edhe nga kritikët e muzikës, gjersa me shumë stil ishte edhe paraqitja e saj, e cila ishte menduar deri në detaje.
Plasim në finalen nga nata e dytë gjysmëfinale siguruan edhe Holanda, Suedia, Rusia, Azerbajxhani, Danimarka, Norvegjia, Zvicra dhe Malta, ndërsa nga nata e parë e gjysmëfinales – Greqia, Bjellorusia, Serbia, Qiproja, Estonia, Çekia, Australia, Islanda, San Mario dhe Sllovenia. Plasim të drejtpërdrejtë në finale krahas nikoqirit Izraelit kishin Franca, Italia, Gjermania, Spanja dhe Britania e Madhe.
Si mysafire speciale në natën e finales të Eurosongut ishte pop ylli 60 vjeçar Madona, e cila ka pasur performim 20 minutash para publikut. Madona, me këtë rast e promovoi këngën e saj të re, ndërsa fitoi pothuajse një milionë dollarë nga performimi në Eurovizion në Tel Aviv.
Tamara Todevska për të katërtën herë merr pjesë në Eurovozion, por për herë të parë si soliste. Para shtatë vjetëve këngëtarja Kaliopi me këngën “Bardh e Zi” mori pjesë në finalen e 57 të Eurovizionit që u mbajt në Baku, Azerbajxhan. (koha.mk)