Nëse deri tani i njëjti ngurroi të hap vetëm një paralele, tani Georgievski propozon të ndërtojë shkollë të re, procedurat e së cilës sigurisht do të zgjatin me vite. Nuk është caktuar vendi për shkollë, leja për ndërtim dhe sigurisht, punimet që zgjatin si zakonisht – dy tre vite
Shkup, 27 shtator – Vazhdon tallja me nxënësit shqiptarë të Idrizovës. Shkelja e ligjit për arsim fillore dhe vet Kushtetutës bëhet nga të gjitha anët. Duke filluar nga drejtori i shkollës “Njegosh”, kryetari i Komunës së Gazi Babës e deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski, nëse deri tani ngurron të hap një paralele për nxënësit shqiptarë të Jurumlerit, tani ka dalë me propozim të ri. Thotë se shqiptarëve të Idrizovës u duhet shkollë e re, shkruan gazeta KOHA.
Këtë Georgievski e ka thënë në takimin e djeshëm me përfaqësuesit e prindërve të nxënësve shqiptarë nga shkolla fillore “Njegosh” në Jurumleri, në praninë e nënkryetarit të LSDM-së, deputetit Muhamed Zekiri. Me shkollë të re rajonale për nxënësit shqiptarë, siç ka thënë kryetari i Gazi Babës, përgjithmonë të zgjidhej problemi i fëmijëve. Propozimin për ndërtimin e shkollës fillore rajonale do ta paraqesë edhe para prindërve në takimin i cili do të mbahet të shtunën, me fillim nga ora 17.
Me fjalë të tjera, nxënësit shqiptarë të këtij rajoni do të vazhdojnë të enden shtatë kilometra larg shtëpive të tyre për të ndjekur mësimin e obligueshëm fillor. Madje, shpenzimet e rrugës, por pa përmendur lodhjen e nxënësve, kryetari Georgievski ka thënë se do të mbulohen me mjete vetanake të Komunës. Sepse, siç ka përsëritur ai, në shkollën e Jurumlerit në “Njegosh”, nuk ka kushte, as kuadro dhe e as hapësira që të mundësojë përgjigje adekuate në kërkesën e prindërve për hapje të paraleles së re. Këtu edhe fshihet hileja e Georgievskit me shqiptarët e Idrizovës. Nëse deri tani i njëjti ngurroi të hap vetëm një paralele, tani ai propozon të ndërtojë shkollë të re, procedurat e së cilës sigurisht do të zgjatin me vite. Nuk është caktuar vendi për shkollë, leja për ndërtim dhe sigurisht, punimet që zgjatin si zakonisht – dy tre vite. Në ndërkohë, në MASH nuk janë të njoftuar me propozimin e ri të Gazi Babës.
Georgievski ka informuar gjithashtu se obligimi i Komunës që drejton ai është t’i dorëzojë të gjitha dokumentet e nevojshme në MASH në afat sa më të shpejtë me qëllim të mundësohen kushte për ndërtimin e shkollës së re në Idrizovë. (koha.mk)