Zejnulla VESELI
Shkup, 11 korrik – Në rishikimi e buxhetit të miratuar nga Qeveria e Maqedonisë, i cili pritet shumë shpejtë t’i dorëzohet deputetëve për shqyrtim, nuk ka gjetur vend projekti për ndërtimin e autostradës Shkup- Bllacë, shkruan gazeta KOHA. Ky projekt, përkundër premtimeve plotë 8 vite nuk u realizua, pasi nuk u siguruan mjete financiare nga buxheti. Shikuar sipas zërave buxhetor, kjo rrugë aspak nuk është përfshirë me rishikimin e buxhetit, edhe pse për këtë rrugë Qeveria e re thotë se është duke përgatitur dokumentacion të ri, gjegjësisht studim fizibiliti nëse është e leverdishme për shtetin kjo autostradë të ndërtohet me para të buxhetit. Në Qeveri theksojnë se po e ndjekin këtë procedurë për shkak se qeveria e mëparshme plotë 8 vite me radhë dështoi në gjetjen e investitorëve të huaj për ndërtimin e saj sipas modelit të partneritetit publiko-privat.
Zëvendësministrja e Financave Shirete Eelezi, thotë se ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë është një nga prioritet kryesore të qeverisë aktuale dhe për të njëjtin është duke u përgatitur dokumentacion projektues. “Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë është një nga prioritete kryesore të Qeverisë aktuale në sferën e infrastrukturës që kushton disa milionë euro dhe për të njëjtin do të përgatitet dokumentacion projektues gjatë vitit 2017. Ndërtimi i këtij aksi rrugor do të jetë në disa faza deri sa të realizohet në tërësi autostrada Shkup-Bllacë”, thotë për KOHA zëvendësministrja Elezi.
Ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë që nga viti 2008 partnerët qeveritar VMRO-BDI vazhdimisht e kanë premtuar, por deri në përfundimin e mandatit 8 vjeçar të qeverisjes VMRO-BDI-në kjo rrugë ka mbetur vetëm si premtim në letër. Pothuajse në të gjitha programet e koalicionit qeveritar VMRO-BDI 2008, 2014 dhe 2016 prioritet ka qenë ndërtimi i këtij aksi rrugor, edhe pas 8 tenderëve të publikuar ndërkombëtare, nuk ka pasur asnjë interesim të investitorëve të huaj për ndërtimin e kësaj rruge sipas modelit të partneritetit privato-publik. Për dallim nga Maqedonia, Kosova e ka afruar ndërtimin e autostradës deri në kufi me Maqedoninë dhe është paralajmëruar inaugurimi i saj në muajin nëntor.
Duke folur rreth rishikimit të buxhetit, ministrja Shirete Elezi thekson se parashihen mjete financiare për ndërtimin e fazë së tretë të sheshit “Skënderbeu” në Çarshinë e Vjetër, në vlerë prej 210 milion denarëve ose rreth 3.5 milion euro. “Fazë e dytë e sheshit Skënderbeu është kah fundi dhe me rishikim parashihen edhe rreth 3.5 milion euro që të fillohet edhe faza e tretë e ndërtimit të sheshit Skënderbeu dhe kështu vitin e ardhshëm sheshi do të jetë gati”, thotë zëvendësministrja e Financave Shirete Elezi. Sipas saj, me rishikim të buxhetit parashihet 52 milionë denarë buxhet për rikonstruimin e Spitalit në Tetovës, ndërtimin e Spitalin e përgjithshëm në Kërçovë si dhe për rikonstruimin e çatisë së Spitalit në Gostivar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.