Nga Qerim LITA
Javën e kaluar shpalosëm kërkesën e banorëve shqiptar të Jabollçishtit të Epërm e të Poshtëm, dërguar kryetarit të Kuvendit të RSM-së, Stojan Andovit, përmes së cilës ata shprehnin hidhërimin dhe revoltën ndaj politikës diskriminuese të pushtetit maqedonas, i cili diskriminim veçmas shprehej në arsimin fillor, për shkak se i njëjti me decenie të tëra zhvillohej në gjuhën joamtare, përkatësisht maqedonase.
Ky problem, siç do të shohim, zgjati me muaj të tërë, për arsye se Ministria e Arsimit, e cila asaj kohe drejtohej nga albanofobi i njohur maqedonas, Dimitar Dimitrov, i cili jo që nuk e shihte të arsyeshme të ndërmerr masa urgjente për zgjidhjen e të njëjtit, porse, i njëjti përmes “zgjidhjeve” qesharake, në fakt tallej me kërkesën e banorëve të jabollçishtasve. Sipas tij, si “zgjidhje e vetme” ndaj problemit të shkollimit fillor në këto dy vendbanime ishte sigurimi i kuadrit arsimor për ciklin e ulët, ndërsa për ciklin e lartë nxënësit të dërgohen në SHQF “Todor Janev” në Çashkë, ku mësimi edhe më tej do të zhvillohej në gjuhën maqedonase. Kjo “zgjidhje” në mënyrë kategorike u hodh poshtë nga jabollçishtasit dhe si rrjedhojë e vendosmërisë së tyre, Qeveria e RSM-së u detyrua të ndërmerr masa urgjente që ky problem të gjej zgjidhje përfundimtare. Në këtë numër po e shpalosim mendimin e Ministrisë së Arsimit, ndërsa për rrjedhat e mëvonshme, lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup, do të informohen në numrin e ardhshëm.
* * *
“QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË, SHKUP
LËNDA: Mendim
Lidhja: Numri i Juaj 23-90/233, nga data 19. 06. 1991
Lidhur kërkesën e banorëve të Jabollçishtit të Epërm e të Poshtëm – Tito Veles, ndërsa në lidhje me problemet e shkaktuara në arsimin fillor, Ministria për Arsim dhe Kulturë Fizike realizoi bashkëpunim me njësinë rajonale dhe me organet e pushtetit nga Tito Velesi pranë së cilës arriti deri te njohuritë me sa vijon:
Në lidhje me ndërprerjen e mësimit në shkollën periferike tetëvjeçare “Liria” në fshatin Jabollçisht e Epërm, Informata e marrë nga SHQF “Todor Janev” L. Çashkë dhe njohuritë me të cilat disponon njësia Rajonale e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës Fizike – Tito Veles informohemi për sa më poshtë vijon:
Në vitin shkollor 1990/91 mësimi në shkollën periferike tetëvjeçare “Liria” f. Jabollçisht i Epërm filloi më datë 3 shtator 1990 ashtu sikurse edhe për të gjithë nxënësit nga territori i komunës së Tito Velesit.
Mësimi qe organizuar për 324 nxënësit nga klasa I-VIII edhe atë në gjuhën shqipe, për nxënësit nga klasa I-IV dhe në gjuhën maqedonase nga klasa V-VIII. Në mësimin klasor e cila zhvillohej në gjuhën shqipe nga gjithsej 6 të punësuar vetëm 1 person i plotësonte kushtet për arsimtar. Në mësimin lëndor të gjitha lëndët qenë përfshirë profesionalisht për arsye se mësimin e zhvillonin kuadër arsimor, me arsim të lartë apo superior, por në gjuhën maqedonase. Në vitin përkatës shkollor në këtë shkollë nga ana e popullsisë vendore u shfaq rezistencë dhe kërkohej sigurimi i mësimit në gjuhën shqipe, si dhe sigurimi i kuadrit profesional në përgjithësi.
Përkujtojmë se për çdo vit shkollor hapet konkurs i rregullt, mirëpo në to paraqitet kuadër arsimor me arsim të paformuar ose me dokumente jo të plota, për çka viti shkollor 1990/91 duhej të fillonte me kuadrin ekzistues të cilët mësimin e zhvillonin përafërsisht tetë vjet. Mirëpo, nga ana e popullsisë vendore u shfaq rezistenca, për fillimin normal të vitit shkollor dhe kërkohej me këmbëngulësi që mësimi të zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe, sikurse edhe sigurimi i kuadrit arsimor në përgjithësi.
Vendim për ndërprerje të mësimit në SHTP “Liria” në Jabollçisht të Epërm nuk është sjell nga ana e SHQF “Todor Janev” L. Çashkë e as nga organi kompetent për arsim. Kjo dëshmohet përmes dokumentacionit shkollor sipas së cilit në periudhën nga data 3 korrik 1990 nga 324 nxënës të rregullt kanë ardhur 142 ose 43,8%. Nga data 10-15 shtator 1990 kanë ardhur vetëm 41 ose 12% ditëve në vijim kanë ardhur vetëm 7 nxënës. Përkundër kësaj deri më datë 15 nëntor 1990 kuadri arsimor merrte paga të rregullta mujore dhe gjendej në vendin e punës. Pra, mësimi nuk zhvillohej për shkak mosardhjes së nxënësve. Mbi bazën e Ligjit për edukimin dhe arsimimin parashkollor e fillor kundër prindërve fëmijët e të cilëve nuk e vijonin mësimin janë dhënë padi për kundërvajtje.
Për vitin shkollor 1991/92, është shpall konkurs për kuadër arsimor nga klasa e I-IV. Kjo është edhe arsyeja për reaksionin e serishëm. Popullsia vendore nga fshatrat Jabollçisht i Epërm dhe i Poshtëm pakënaqësinë e tyre e shprehin dhe kërcënohen sërish se nuk do të lejojnë fëmijët e tyre ta vijojnë mësimin nëse nuk sigurohet kuadër arsimor, të cilët mësimin do ta zhvillojnë në gjuhën shqipe edhe atë për të gjithë nxënësit (500 sipas thënies së popullsisë vendore). SHQF “Todor Janev” L. Çashkë si arsye të vetme për mosshpalljen e konkursit për mësimin lëndor e nënvizon vetëm numrin e nxënësve dhe të hapësirës shkollore, përkatësisht ndërtesa shkollore posedon vetëm katër klasa.
Mbi bazën e Informatës së nënvizuar dhe fillimit normal të vitit 1991/92 Njësia Rajonale e Ministrisë për Arsim dhe Kulturë Fizike pranë komunës së Tito Velesit e jep këtë:
MENDIM
Në shkollën fillore tetëvjeçare periferike “Liria” në f. Jabollisht i Epërm mësimi në vitin 1990/91 nuk u zhvillua për shkak mosardhjes së nxënësve. Për të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve nuk e vijonin mësimin, sipas Ligjit për arsim parashkollor e fillor në tetor të vitit 1990 qenë shqiptuar padi për kundërvajtje. Për vitin shkollor 1991/92 nuk ekzistojnë kushte që mësimi të organizohet në ndërtesën shkollore për të gjithë nxënësit, për shkak rritjes së numrit të klasës së parë (2 gjenerata) dhe në përgjithësi. Mbi bazën e gjendjes numerike ekzistuese zgjidhja e vetme e cila do të siguroj përfshirjen e nxënësve mbarë nga klasa e I-VIII është ajo që viti shkollor nga klasa I-IV të organizohet në ndërtesën shkollore f. Jabollçisht e Epërm në 4 klasat në gjuhën shqipe në dy ndërrime. Për nxënësit nga klasa V-VIII mësimi të organizohet në SHQF “Todor Janev” L. Çashkë në gjuhën maqedonase me pranimin dhe vendosjen e nxënësve në internatin e shkollës. SHQF “Todor Janev” L. Çashkë të shpall konkurs për herë të dytë për kuadër arsimor i cili mësimin do ta zhvilloj në gjuhën shqipe për nxënësit nga klasa I-IV, e nëse edhe për herë të dytë nuk sigurohet kuadri arsimor siç është rasti me konkursin e parë, të shpallet edhe i treti. Zgjidhje tjetër për fillimin e vitit shkollor 1991/92 nuk ekziston, përveçse, nëse sigurohen kushtet materiale për zgjerimin e ndërtesës shkollore dhe rindërtimin e së paku dy klasave të reja.
MINISTËR, Dr. Dimitar Dimitrov”
(koha.mk)