Andres Iniesta është një nga mesfushorët më të mirë në histori dhe këtë arrin ta tregojë edhe në Japoninë e largët dhe 35 vite mbi supe. Mesfushori prej më shumë se dy vitesh aktivizohet me Visel Kobe dhe ka arritur të ndihmojë ekipin modest të arrijë të fitojë trofe dhe të ngjitet lart në renditjen e kampionatit vendas.
Në një ndeshje të kampionatit japonez, Iniesta merr një top në të majtë të zonës kundërshtare dhe vallëzon me sferën mes disa kundërshtarëve, që e kanë të pamundur t’ia rrëmbejnë topin nga këmbët dhe i falen aftësive të tij të jashtëzakonshme. Në fund Iniesta shërben për shokët e tij, por këta të fundit nuk e shfrytëzojnë në mënyrën e duhur atë asist perfekt të katalanasit.
Iniesta te Barcelona ka bërë historinë, duke formuar një treshe të jashtëzakonshme me Mesin dhe Çavin. Ata bashkë kanë bërë epokë në historinë e Barcelonës, duke fituar çdo gjë që i doli para dhe ç’është më e veçanta ishin aktorët kryesorë të një prej versioneve më të bukur të futbollit që është parë ndonjëherë, Tiki-Takas.