Askush nuk do ta kishte menduar, se pas 6 javësh në Seria A, kryegolashënuesi i kampionatit, do të kishte qenë sulmuesi i Xhenoas, Kristof Piatek. Polaku i ka habitur të gjithë, teksa në 5 ndeshje të zhvilluara, ka shënuar plot 6 gola me ekipin kuqeblu.
Edhe pse një kampionat me emra të mëdhenj në vijën e parë të sulmit, si Higuain, Ikardi, Xheko, apo së fundmi edhe ardhja e Kristiano Ronaldos, është 23-vjeçari ai që po i habit të gjithë. Ai u ble vetëm për 4.5 mln euro këtë verë nga ekipi i Xhenoas, prej polakëve të Krakovias, por tashmë ai ka zgjuar interesin e gjithë Europës.
Shumë prej agjentëve të ekipeve më të mira europianë, kanë filluar të kërkojnë shërbimet e Piatek. Vlera e polakut tashmë ka arritur në 50 mln euro, ndërkohë që të parët që trokitën në derën e Xhenoas, ishin drejtuesit e Juventusit. Gjithsesi, vlera e tij mund të rritet, nëse polaku vazhdon me këto ritme të frikshme.