-Asgjë nuk vjen rastësisht…Prapa sukseseve të xhudistëve kosovare nuk qëndron vetëm talenti i Majlindës me shoqe, por dhe entuziazmi dhe përkushtimi i pashoq i vëllezërve Kuka, që po e mrekullojnë botën sportive
Nga Daut DAUTI
Dy tituj të kampiones së botës, katër evropiane, një olimpike, pa numër medalje(mbi 100 nëse s’gaboj) nga turnire të ndryshme…Eh, ky, në cilindo sport, do të ishte një bilanc i dëshiruar jo për një vend jo si Kosova, por dhe për ndonjë dhjetë herë më i madh…Kur gjithë këto kanë autorësinë e një emri, Majlinda Kelmendi, madhështia e këtij suksesi bëhet edhe më e madhe, për çka me meritë iu ngrit busti në Kosovë, njësoj si edhe Fadil Vokrrit, legjendës tjetër të sportit kosovar.
ASNJË SUKSES NUK VJEN RASTËSISHT
Në një kohë kur më Majlinda jo që ndihej e shterur dhe pa motiv, por ngase ligjet e natyrës e bëjnë të veten, duke mos arritur të përsëritë në Tokio suksesin e Olimpiadës së kaluar, i dha fund karrierës së vet, por duke mos e lënë zbrazët vendin e saj, sepse aty u gjetën Distria dhe Nora, po ashtu me medalje të arta…Një zbritje nga skena, me lot në sy, por e përmbushur, në shtigjet që i hapi ajo ndër vite, tash ecin trashëgimtaret e saj.
Çka do të thotë për një vend si Kosova, në dy olimpiada të ketë tri medalje të arta, tregon krahasimi me Maqedoninë: prej vitit 2000(kur bronze fitoi në mundje azarbejxhanasi i i natyralizuar Mohamed Ibragimov) Maqedonia nuk pati medalje tjetër, gjer në Tokio, ku fitoi medaljen e argjendtë në tekvondo (Urime për Dejan Georgievskin nga lagja fqinje e Butelit që realizoi edhe ëndrrën e vet dhe i solli sadopak një gëzim vendit të tij) dhe ndër komentet karakteristike ishte se për këtë sukses do të flitet 50 vitet e ardhshme! Po po të kishte qenë e artë, do flitej shekujve të ardhshëm, ë? Sepse, medalje të artë Maqedonia si pjesë e Jugosllavisë, ka atë të Shaban Tërstenës, para 43 vitesh nga Los Angjelesi(po atë vit Shaban Sejdiu mori bronz)! Po Shqipëria, shteti amë sa dy Kosova, që nga viti 1972 kur ka nisë të marrë pjesë në olimpiada(disa i ka bojkotuar, por nga viti 1992 është pjesëmarrëse e rregullt), ende nuk ka medalje as për ilaç! Nga vendet fqinjë, edhe Bosnja bie në “grupin” e Shqipërisë! Edhe Mali i Zi është prapa…
Suksesi i Majlinda Kelmendit në të vërtetë është një model i mirë se si në një sport mund të arrihen rezultate. Shumëkush do të thoshte se gjithë suksesi është fryt i talentit të lindur të trasueses së shtegut të sukseseve, Majlindës, por në të vërtetë nuk është krejt ashtu. Sepse, edhe talenti më i madh, në mungesë kushtesh, do të mbetet i pari i katundit të vet, dhe s’do ta bëjë asnjë hap më tutje. Kurse suksesi i xhudos në Kosovë, ka një autorësi me emër e mbiemër të përveçëm, Driton Kuka, trajneri i cili që nga fillet e pavarësisë së Kosovës, iu rrek punës me përkushtim dhe në mënyrë sistematike, së pari në klubin e tij e pastaj edhe me përfaqësuesen kombëtare. Besoj se puna shumëvjeçare dhe investimet në këtë sport, i kanë dhënë rezultatet e ëndërruara. Për hir të së vërtetës, nuk është vetëm Driton Kuka në pyetje, për të cilin e gjitha bota sportive flet, por dhe vëllai i tij, Agroni me të cilin kanë punuar bashkë me dekada dhe më i madhi ndër vëllezërit, Sulejmani, frymëzuesi i dy të tjerëve. Nëse për shkak të luftërave në Jugosllavi gjatë viteve 90-të nuk arritën ta realizojnë ëndrrën e tyre për karrierë sportive, këtë e bënë pas luftës, duke përgatitur një gjeneratë të tërë xhudistësh e xhudistesh, duke arritur me ta majat e suksesit.
Zhvillimi i një sporti është shumë larg çdo rastësie, nëse prapa nuk qëndron ndonjë politikë shteti për zhvillimin e tij. Ish-Jugosllavia, bie fjala, dallohej me sukseset në basketboll, duke qenë me 20 milionë banorët e saj, krahas gjigantëve të asaj kohe, BRSS-së dhe SHBA-ve dhe në çdo tubim ndërkombëtar(kampionate botërore ose olimpiada), këto tri vende i ndanin mes vete tri vendet e para. Askush nuk e ka lodhur mendjen se si Jugosllavia u bë superfuqi në basketboll, por po të shihet historiku i zhvillimit, basketbolli kishte qenë një nga prioritetet e regjimit komunist dhe në krye të këtij projekti politik kishte qenë hiq më pak po një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos, Vlladimir Dedier, më i njohur pastaj si biografi kryesor i tij. Duke nxitur krijimin e klubeve dhe konkurrencën e shëndoshë, duke angazhuar trajnerë dhe entuziastë, ky sport për rreth 20 vjet pas lufte, bëhet sporti nr.1 për nga konkurrimi në suaza ndërkombëtare. Në fushën e sportit, por dhe atë të politikës, pas konfliktit me Stalinin, Tito e kishte shumë për qejf që BRSS-në ta gjunjëzojë në ndonjë fushë, e këtë e bënte përmes basketbollit. Por, me investime dhe punë sistematike, si dhe motivin sa sportiv, aq dhe politik, rezultatet vinin vetë. Një motiv të ngjashëm sigurisht e kanë pasur edhe Driton Kuka me vëllezërit e tij, sa personal për të shprehur dijen e tij, sa kombëtar, për ta afirmuar përmes sportit vendin e tij në një periudhë të vështirë, të shtetndërtimit. Sukseset që ia sollën, ishte pikërisht një gur në atë shtetndërtim, sepse me ngritjen e flamurit në turnetë ndërkombëtare, i treguan botës se ekziston një shtet me emrin Kosovë. Këtë motiv sigurisht e kanë pasur në zemër dhe Majlinda dhe shoqet e saj më të reja, ndaj me zemër kanë hyrë në çdo meç. Një fenomen i ngjashëm mund të ishte peshëngritja shqiptare, por, tash për tash medaljet disa prej tyre ia çojnë Greqisë ku kanë marrë shtetësi.
DISA SHEMBUJ POZITIVË EDHE NË MAQEDONI
Ndoshta te suksesi i xhudisteve kosovare paraja nuk ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm, por, edhe paraja ka ardhur spontanisht në formë shpërblimi për sukseset e arritura, si një satisfaksion për afirmimin e vendit(Në Ballkan, Kosova më së miri se të gjitha vendet i shpërblen medaljet nga olimpiada!…). Por, mbetet e vërteta se sa më shumë të investosh në sport, aq më të favorshme krijohen parakushtet për zhvillimin e tij. Sepse, pa para nuk ka muzikë, kanë thënë! Këtë më së miri e dëshmuan sukseset e klubeve të Maqedonisë në hendboll, falë investimeve në to. Së pari në majën e Evropës u ngjit klubi i femrave i Kometall-Gjorçe Petrovit, në kohën kur sponsor dorëshlirë ishte Trifun Kostovski, nga ditët e shkëlqimit të biznesit të tij. Më vonë, edhe ekipi i njëjtë i meshkujve sillej në rrethin e katër ekipeve më të mira. Atë që nuk e arriti Kometali, do ta bëjë rivali “jo konkurrent” Vardar, me dy tituj befasues të kampionit të Evropës. Jo rastësisht, në klub me investimet e tij arriti t’i mbledhë trajnerët dhe lojtarët më të mirë të Evropës, biznesmeni kontrovers rus Sergej Samsonenko. Ç’do të thotë roli i parasë u dëshmua pas largimit të Samsonenkos: klubi me histori më të gjatë, Vardari, ra nga liga e parë, kurse edhe ai i hendbollit mezi arriti t’i kryejë disa obligime financiare ndaj Federatës ndërkombëtare të Hendbollit që sivjet të marrë pjesë në garën e kampionëve evropianë. Ndërkaq, një klub tjetër, Shkëndija e Tetovës, fiton titull pas titulli pikërisht falë sponsorit të saj, biznesmenit më të njohur shqiptar nga këto troje, Lazim Destanit.
Suksesi i tekvondistit Dejan Georgievski nuk e ka peshën e dy medaleve të arta të Kosovës, por kur për një vend të pavarur për tri dekada ka pasur vetëm një bronze, atëherë edhe e argjendta është e mirëseardhur, si një motivacion për sportistë të tjerë që në olimpiadë, të mos shkojnë me atë fjalën e Pjer de Kuertenit “nuk është me rëndësi të fitohet, por të merret pjesë”, sepse ajo është moto ngushëlluese, kurse çdo sportist duhet të synojë jo vetëm pjesëmarrjen, por dhe suksesin.
Përndryshe, sa për faktografi, sportistët nga Maqedonia nga olimpiada kanë sjellë 11 medalje, prej të cilave pothuajse gjysmën, pesë medalje, tre sportistët shkupjanë, Shaban Tërstena(i vetmi i artë, plus një të argjendit), Shaban Sejdiu(dy bronza) dhe Aziz Saliu(bronz), kurse fitues tjerë kanë qenë edhe futbollistët Bllagoja Vidiniq dhe Milko Gjurovski, boksierët Rexhep Rexhepovski(argjend) dhe Ace Rusevski(bronz) dhe basketbollistja Stojna Vangellovska. Por, këta janë sportistë të gjitha kohërave, kurse fitues që nga pavarësia, mbeten Mohamed Ibragimov, një azerbejxhanas i natyralizuar me medaljen e bronzit në vitin 2000 në mundje, dhe tash tekvondisti Dejan Georgievski, me medaljen e argjendtë.
(Autori është kolumnist i rregullt në Gazetën KOHA)