“Një e treta apo gati gjashtë milionë banorë nga Ballkani Perëndimor kanë emigruar jashtë të motivuar nga dallimet në paga, si dhe nga pakënaqësitë me gjendjen politike dhe ekonomike. Kjo paraqet problem serioz për këtë rajon, për shkak se talentet e tyre i shfrytëzojnë shtetet e tjera. Njëherazi, përkundër dërgimit të remitancave, këto vende nuk kanë ndonjë ndikim në zhvillim”, thotë Çakrabarti nga BERZH-i
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 maj – Analizat e Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim tregojnë se gjashtë milionë njerëz kanë ikur nga Ballkani Perëndimor, ndërsa një problem i veçantë i migrimit është se më shumë ikin kuadrot me arsim të lartë në raport me kuadrot me shkathtësi dhe dituri mesatare. Sipas drejtorit të BERZH-it, Suma Çakrabarti, migrimet e fuqisë punëtore të kualifikuar kanë ndikim negativ ndaj produktivitetit në rajon, ndërsa edhe ikja e fuqisë punëtore me kualifikime më të ulëta rrezikon rritjen ekonomike të këtyre shteteve, shkruan gazeta KOHA.
“Një e treta apo gati gjashtë milionë banorë nga Ballkani Perëndimor kanë emigruar jashtë të motivuar nga dallimet në paga, si dhe nga pakënaqësitë me gjendjen politike dhe ekonomike. Kjo paraqet problem serioz për këtë rajon, për shkak se talentet e tyre i shfrytëzojnë shtetet e tjera. Njëherazi, përkundër dërgimit të remitancave, këto vende nuk kanë ndonjë ndikim në zhvillim”, thotë Çakrabarti. Sipas tij, zgjidhja e këtij problem është mjaft e ndërlikuar, për shkak se ndërlidhet jo vetëm me rritjen e pagave, por edhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës në nivel lokal dhe kombëtar. Nga ana tjetër, hendekun e madh midis standardit më të ulët në shtetet e rajonit në raport me perëndimin mund të përmbyllet në periudhën e ardhshme me avancimin e funksionimit të institucioneve demokratike si dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
“Prioritet i politikave ekonomike duhet të jetë funksionimi më i mirë i institucioneve publike në shërbim të qytetarëve në vend se të komplikojnë jetesën e tyre, ofrimi i shërbime me cilësi të lartë në arsim dhe shëndetësi, sistem gjyqësor më i avancuar ku proceset do të jenë të drejta dhe nuk do të zgjasin me vite”, sqaron ai rrugën e vështirë për të ndalur ikjen e popullatës nga Ballkani Perëndimor. BERZH-i vlerëson gjithashtu se qasje më e mirë ndaj furnizimit me ujë të pijshëm, si dhe filtrimin e ujërave të ndotur, cilësia më e mirë e ajrit, rrugët apo hekurudha më e mirë… nuk duhet të anashkalohet në listën e prioriteteve për përmirësimin e kushteve të jetesës.
Në ndërkohë, stabiliteti politik, si dhe ratifikimi me sukses i Marrëveshjes së Prespës në Parlamentet e Maqedonisë dhe Greqisë pritet të sjellin edhe perspektiva më të ndritura ekonomike për Maqedoninë, vlerësojnë autoritetet ndërkombëtare financiare. “Maqedonia në vitin 2019 mund të ketë rritje prej 3 për qind, në rast se mban stabilitetin politik, debllokon më tej reformat, si dhe ka prurje të investimeve të nevojshme. Megjithatë, rreziku kryesor vitin e ardhshëm për rritjen ekonomike paraqet vazhdimi i turbulencave politike dhe pasiguria në rast se nuk mbahet progresi në zgjidhjen e çështjes së emrit”, vlerëson Banka Evropiane e Zhvillimit dhe Rindërtimit në raportin e saj të fundit të tranzicionit 2018-2019. Ndryshe, analizat e BERZH-it tregojnë se produktiviteti i ulët reflekton institucionet e dobëta dhe mjedisin e vështirë të biznesit të rajonit. Sfidat më të mëdha që gjashtë vendet e rajonit duhet të përballojnë dhe tejkalojnë janë në fushat e konkurrencës dhe qeverisjes së mirë. Realiteti aktual në Ballkanin Perëndimor është i tillë që “institucioneve të dobëta u shtohet edhe prania e madhe e shtetit në industri të caktuara, gjë që frenon sektorin privat, kontribuesin kryesor të prodhimit ekonomik nga arritja e potencialit të plotë të tij”, tregojnë analizat.
Krahas kufizimeve në produktivitetin e ekonomive dhe rritjen e saj, analizat udhëzojnë edhe për nivelin e ulët të përfshirjes së të rinjve, konkurrencën e pandershme nga sektori informal, korrupsionin, administratën e rëndë tatimore dhe probleme me energjinë elektrike. Kjo situatë lë një zonën evropiane me rreth 20 milionë njerëz, të rrethuar nga vende të BE, të ketë Prodhimin e Përgjithshëm Bruto me një mesatare për individ që është vetëm një e katërta e shumës që ka një individ në vendet më të pasura të BE. (koha.mk)