Shkup, 30 korrik – Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi do t’i shpallë zgjedhjet lokale më 6 gusht, të cilat do të mbahen në përputhje me afatin ligjor më 17 tetor të këtij viti.
“Konform normave ligjore, përkatësisht nenit 16 të Kodit Zgjedhor, mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve zgjat katër vjet, dhe duke pasur parasysh që zgjedhjet e mëparshme ishin më 15 tetor të vitit 2017, në fakt nga 15 deri më 18 tetor, përmbushet mandati katërvjeçari i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve dhe ky mandati sipas Kushtetutës dhe Ligjit nuk mund të vazhdohet, përveç në gjendje të jashtëzakonshme ose luftë. Mandati mund të jetë më i shkurtër, por jo të zgjatet. Duke marrë parasysh se më shumë se gjysma e kryetarëve të komunave në raundin e dytë fituan një mandat ose konkretisht 46 komuna, përfshirë Qytetin e Shkupit, kjo do të thotë në fakt se deri më 18 tetor ata i plotësojnë kërkesat për një mandat katërvjeçar. Duke pasur parasysh që zgjedhjet janë të rregullta nga shpallja deri në ditën e votimit, duhet të sigurohet një minimum prej 70 ditëve, dhe një maksimum prej 90 ditëve, dhe në atë periudhë KSHZ -ja duhet të përmbushë detyrimet e saj, të cilat duhet të bëjnë Librin e afateve për kryerjen e aktiviteteve zgjedhore, duke e bërë këtë matematikë 6 gushti është afati kur do të shpallen zgjedhjet lokale dhe nga ai moment fillojnë afatet e zgjedhjeve për palët e interesuara”, tha Xhaferi.
Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kryetari Xhaferi në takimin e sotëm me gazetarët, nuk deshi të precizojë nëse ato do të miratohen para pushimit vjetor të deputetëve, i cili fillon më 1 gusht. Theksoi se Komisioni amë për sistem politik duhet t’i përfundojë amendamentet. Një pjesë e madhe e amendamenteve të parashtruara, të cilat janë rreth 700, janë formalisht në rregull”, shtoi Xhaferi.
Ai theksoi se sot bëhen të gjitha analizat për detyrimet e papërfunduara që duhet të përfundohen, për të cilat do të ketë koordinim. Nëse është e nevojshme, është e mundur që Kuvendi të punojë edhe nesër.
Seancat do të vazhdojnë pas pushimit, kur do të punojnë rreth seancave të mbetura të papërfunduara. Seanca e re do të caktohet më 13 ose 14 shtator.
Kryetari Xhaferi do t’i kalojë pushimet e tij në Shqipërinë fqinje.