Një nga dilemat kryesore të importuesve të makinave mbetet zbatimi praktik i dispozitave ligjore dhe paqartësitë me të cilat përballen importuesit e automjeteve të dorës së dytë, gjatë llogaritjes së taksës së re për automjete, si dhe rritjen e tarifave nga e cila kanë frikë importuesit se do të ndikojë në ndërprerjen e punës së tyre
Remzije BILALLI
Shkup, 20 janar – Një pjesë e importuesve të makinave të përdorura zhvilluan takim me përfaqësuesit e Administratës doganore, ku u prezantuan vërejtjet e tyre lidhur me zbatimin fillestar të Ligjit për taksën e automjeteve, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2020. Autoritetet justifikuan këtë taksë, si një masë për të luftuar ndotjen.
Një nga dilemat kryesore të theksuara në takim ishte zbatimi praktik i dispozitave ligjore dhe paqartësitë me të cilat përballen importuesit e automjeteve të dorës së dytë, gjatë llogaritjes së taksës së re për automjete, si dhe rritjen e tarifave nga e cila kanë frikë importuesit se do të ndikojë në ndërprerjen e punës së tyre. Theks i veçantë iu kushtua automjeteve të cilët u doganuan para zbatimit të Ligjit të ri për taksën e automjeteve, pavarësisht nëse ato i nënshtrohen taksës shtesë, apo jo, si dhe gjendjes së automjeteve të cilat janë në rrugën për t’u importuar në vendin tonë.
Mbështetja për sjelljen e ndryshimeve në taksat e automjeteve motorike me qasje pozitive kishte në stimulimin e importit të automjeteve ekologjike, por e gjithë kjo në korrelacion me fuqinë blerëse të qytetarëve për të cilën u theksua se vështirë mund të lejohet blerja e automjeteve të shtrenjta, njoftuan nga Administrata Doganore.
Nga ana e Administratës u prezantuan dispozita themelore të Ligjit të Taksave të Automjeteve, gjithashtu janë bërë llogaritje të taksave për automjetet motorike. Ata theksuan se qytetarët mund t’i llogaritin vetë këto tarifa nëse përdorin kalkulatorin e publikuar në faqen e internetit të Administratës Doganore e cila është vendos pikërisht për këtë qëllim. Kalkulatori do të jetë në gjendje të llogarisë saktësisht se sa do të jetë shuma e taksës sipas CO2, pra sa dioksid karboni lëshon automjeti. Doganat presin që me këtë mjet online, të ndalohen llogaritjet spekulative, që mashtrojnë importuesit dhe blerësit e automjeteve.
Mirëpo kjo për importuesit ishte e pa pranueshme. Sipas tyre në bazë të këtij kalkulatorit për një makinë me vlerë 3900 Euro, me emetimin e CO2, prej 142 gramë, do të paguhet një taksë prej 231 Euro ose 14,200 denarë. Për të njëjtën veturë sipas ligjit të vjetër do të duhej të paguhen vetëm 18.9 euro ose 1,162 denarë. “Në këtë drejtim, u propozua që të organizohet një prezantim i drejtpërdrejtë i dispozitave ligjore për importuesit sipas rajoneve dhe të zbardhen dilemat me të cilat ata përballen aktualisht”, thonë nga Dogana.
Nga Dogana sqaruan se sipas Ligjit të ri, automjetet me vlerë deri në 10,000 euro paguajnë tatim në bazë të asaj se sa ndotin dhe jo nga vlera e automjetit, siç ishte deri më tani.
“Ata të cilët kanë emetim më të ulët të CO2 paguajnë më pak për tarifa sesa ato me emetime më të larta të CO2. Për automjetet me vlerë mbi 10,000 euro llogaritja bëhet sipas emetimit të CO2 dhe vlerës së automjeteve”, shpjeguan nga Administrata Doganore.
Në lidhje me dilemat se a duhet automjetet të cilat janë të doganuara, të paguajnë taksë, nga Dogana theksuan se siç u vendos edhe në takim, ata të cilët kanë përfunduar në bazë të ligjit të vjetër nuk i nënshtrohet taksës shtesë për automjetet motorike dhe automjetet mund të shiten lirshëm tek blerësit. Drejtuesit Doganorë informuan se do të zhvillojnë takime shtesë me të gjithë palët të cilët janë të interesuar për këtë Ligj. (koha.mk)