Taksa gjyqësore pikënisje e reformave në drejtësi

24

Një ndryshim i tillë është mirëpritur edhe nga esnafi i avokatëve, të cilat drejtpërdrejtë janë të lidhur me palët dhe harxhimet e tyre në procedura gjyqësore. Avokati Asmir Alispahiç, për gazetën KOHA, sqaron se pasi dispozitat e këtij Ligji të hynë në fuqi, personat fizik nuk do të paguajnë taksë gjyqësore më të lartë se 6 mijë denarë

Omer XHAFERI

Shkup, 19 shtator  – Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të paguajnë taksa më të ulëta gjyqësore gjatë procedurave kontestimore që do t’i zhvillojnë para gjykatave të vendit. Vendimi i marrë javën e kaluar nga Qeveria edhe zyrtarisht është dorëzuar në Parlament për votim. Ky propozim-ligj është ndër tekstet e para i cili pritet të ndryshohet nga deputetët e ri.  Duke e arsyetuar nevojën për ndryshimin e Ligjit për taksën gjyqësore, Ministria e Drejtësisë, si propozues, thotë se miratimi i këtij Ligji buron nga nevoja për sigurimin e kushteve lehtësuese për qasje deri te drejtësia e personave fizik.
“Kjo duhet të bëhet përmes zvogëlimit të kufirit të sipërm të shumës së tarifës gjyqësore për personat fizik gjatë parashtrimit të padisë, kundër padisë dhe propozimit për përsëritje të procedurës para gjykatës. Gjithashtu, ndryshimi i cili propozohet është në pajtim me qëllim e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe është në kuadër të frymës së reformave në gjyqësor dhe avancimin e tyre të mëtutjeshme”, thuhet në arsyetimin e propozim-ligjit për taksën gjyqësore. Tutje, në këtë arsyetimin e tekstit ligjore, theksohet se ndryshimi i këtyre dispozitave ligjore do të shkaktoj implikime financiare mbi Buxhetin e shtetit, respektivisht do të ndikoj në zvogëlimin e tij.

Një ndryshim i tillë është mirëpritur edhe nga esnafi i avokatëve, të cilat drejtpërdrejtë janë të lidhur me palët dhe harxhimet e tyre në procedura gjyqësore. Avokati Asmir Alispahiç, për gazetën KOHA, sqaron se pasi dispozitat e këtij Ligji të hynë në fuqi, personat fizik nuk do të paguajnë taksë gjyqësore më të lartë se 6 mijë denarë. “Në praktikë, kjo nënkupton se padia e deritanishme e cila ka pasur taksë gjyqësore prej 48 mijë denarë, do të jetë 6 mijë denarë, posaçërisht për kontestet për tokë, për shuma të larta e kështu me radhë. Kjo është lehtësim edhe për neve avokatët si përfaqësues të palëve në proceset gjyqësore. Përpos kësaj takse gjyqësore, paralelisht do të zvogëlohen edhe taksat tjera që janë nën 48 mijë denarë për personat fizik”, tha avokati Alispahiç.
Krahas këtij propozim-ligjit, ditëve të fundit në Parlament është dorëzuar edhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtje nga diskriminimi, i cili në maj të këtij viti, u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, pasi që i njëjti ishte i miratuar vitin e kaluar. Qëllimi i miratimit të këtij ligji siç thuhet në propozimin e dorëzuar, është sigurimi i parimit të barazisë dhe parandalimi (mbrojtjes) nga diskriminimi në realizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Njëkohësisht me këtë ligj rregullohet parandalimi dhe ndalesë për diskriminim, format dhe llojet e diskriminimit, si dhe përbërja dhe puna e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi. (koha.mk)

Comments are closed.