Berlin, 24 qershor – Kancelarja gjermane Angela Merkel u sot në Berlin u takua me presidentin francez Emanuel Makron, në kohën kur Gjermania po përgatitet ta marrë përsipër presidencën me Bashkimin Evropian.
Gjermania më 1 korrik e merr përsipër presidencën gjashtëmujore të BE-së, në një kohë kur BE po përballet me një sfidë të madhe për të provuar t’i rivendosë ekonomitë e 27 anëtarëve të saj dhe ta rivendosë lirinë e lëvizjes midis vendeve pa shkaktuar një valë të dytë të pandemisë së koronavirusit.
Merkel tha fundjavën e kaluar se ajo është e bindur që Evropa mund t’i tejkalojë sfidat, pavarësisht se koronavirusi është ende një kërcënim, duke shtuar se masat për rimëkëmbjen ekonomike të BE-së duhet të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Në maj, Merkel dhe Makron propozuan formimin e një fondi të njëhershëm të rimëkëmbjes në vlerë prej 500 miliardë eurosh.
Propozimi u zgjerua nga Komisioni Evropian, i cili ka propozuar formimin e një fondi prej 750 miliardë eurosh, i cili do të përbëhej kryesisht nga grante.
Por KE-ja po përballet me rezistencë nga disa vende, të cilat janë kundër fondeve të pakthyeshme dhe refuzojnë t’i sigurojnë fondet pa asnjë detyrim për shfrytëzuesit.