Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan është takuar këtë të hënë në Moskë, me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Të dyja palët nga ky takim thanë se duhet të forcojnë bashkëpunimin në sferën ushtarake – teknike, njofton Klan Kosova.
Në një deklaratë të lëshuar së fundi, presidenti turk, Recep Tajip Erdogan ka insistuar se është e drejtë sovrane e vendit të tij të blejë nga Rusia, sistemin mbrojtës raketor S-400.
”Tani veçse kemi bërë një plan lidhur me marrëveshjen për S-400-in. Kemi marrë hapat e duhur dhe tani gjithçka ka përfunduar. Pas gjithë kësaj a duhet dikush të kundërshtojë dhe të kërkojë që kontrata të anulohet duke mos njohur opsionin tonë?”, është shprehur Erdogan.
”Kur arritëm një marrëveshje dhe nënshkruam kontratën, është e natyrshme të vazhdojmë. Kjo është e drejta jonë sovrane. Askush nuk mund të kërkojë që ne të heqim dorë”, përfundon ai, njofton Klan Kosova.
Recep Tayip Erdogan ka thënë se S-400 janë të nevojshme për të mbrojtur kufijtë e Turqisë, ndërsa dorëzimi i parë i sistemit raketor S-400, pritet të ndodhë në muajin korrik. Erdogan është në vizitën e tij të tretë në Rusi që nga fillimi i këtij viti.