Shkup, 19 korrik – Është anuluar mbajtja e takimit të liderëve, të cilin kryeministri Zoran Zaev e paralajmëroi për sot e në të cilin do të diskutohej për tri tema kryesore-ligjin për prokurorinë publike, regjistrimin dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, njofton Koha.mk
Dje nga partia e Mickoskit e përsëritën qëndrimin se ai nuk do të shkojë në takimin e liderëve. VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin se nëse mbahet takim i liderëve në të cilin do të marrë pjesë Mickoski, atëherë ajo do të jetë vetëm për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Botuesi i gazetës KOHA, Lirim Dullovi në një prononcim për programin në gjuhën shqipe të Televizionit të Maqedonisë, ka deklaruar se temat e paralajmëruara për takimin e liderëve duhet të jenë sekondare, dhe se kurdo që të mbahet takimi i liderëve prioritet duhet të ketë sistemi i gjyqësisë, i cili aspak nuk funksion.
“Kurdo që të mbahet takimi i liderëve temë diskutimi duhet ta ketë vetëm një çështje, e ajo është sistemi i drejtësisë në këtë vend, i cili pas ngjarjeve, u pa qartë më se këtu nuk kemi kurrfarë sistemi të drejtësisë. Është moment i fundit që partitë shqiptare pjesëmarrëse në atë takim të liderëve ta hapin vetëm këtë temë dhe mos të dalin në asnjë temë tjetër, sepse kjo jo rastësisht është edhe vërejtja kryesore e Komisionit Evropian, i cili disa herë ka konstatuar se në këtu nuk kemi fare sistem të drejtësisë dhe ai që është, është i kapur. Ky shtet nuk mund të ecë përpara nëse nuk rregullohen këto deformime në këtë sistem”, deklaroi për MTV2, botuesi i Gazetës “Koha”, Lirim Dullovi.