Kërçovë, 8 nëntor – Për tre ditë sa zgjati Manifestimi tradicional poetik mbarëkombëtar i “Hyjneshës Ilire Thana në Kërçovë, tek Shtëpia e Arteve në Kërçovë, dyzetë penda të shquara të letrave ishin mbledhur tokas për të shpalosur vargun e tyre, dhe për të marrë frymëzimin e ri për varg të ri, për ditën e re që po vjen, për ditën e bashkimit të shpirtërave. Që nga Shkodra e gjer në Përmet, nga Durrësi e Drenica, Tirana, Tetova e Mitrovica, Malëshova, Myzeqeja e Kërçova, Shkupi e Prishtina, shkresëtarët e vargjeve kishin marrë udhë për të kërkuar frymëzimin radhës pranë çerdhes së shqiponjave të Majeshqipes,mbi plisa të Ujëmirit e dëlirësinë e Dardhës e Drenovës së vargmalevetë Sharrit, aty tek këmbët e Hyjneshës së Maleve, Thanës…! Vargani i poetëve Agim Bajrami e Vaso Papaje Sami Velçani nga Durrësi, Agim Xheka e Ermal Lala nga Tirana, Farida Zmijani Ramadani nga Shkodra, Fatmira Loci nga Lezha, Lola Shehi nga Lushnja, Xhelal Tosku nga Rrogozhina, Lumo Kolleshi nga Përmeti, Flora Peci nga Mitrovica, Dan Ibrahimi e Silva Tërnava nga Prishtina, korçarja Rakela Zoga e beratasi Dhimitër Nica nga Selaniku i Greqisë, Kalosh Çeliku nga Shkupi, Rami Kamberi e Remzi Saliu nga Tetova, të shoqëruar nga poetët nikoqirë Xhelal Ademi, Adem Xheladini, Hava Ajdini, Mirije Vrangalla, Ibraim Koça, Xhevdet Ukalli, Xhemile Adili, Nazif Selimi, Lirije Asani, Nurije Emrullai, Marigona Xhelili, Vesel Xhaferri dhe kantautori Ferit Abdiu, i kërkuan Hyjneshës Ilire Thana, frymëzimin për vargun e shenjtë të poezisë duke kërkuar bekimin e saj për deklamimin e shpirtit të tyre në varg. Nata e parë kaloi nën jehun e vargut të çdo poeti veç e veç, ku ata paraqitën vargjet e tyre përpara auditorit të pranishëm, nga ku vijoi deklamimi i vargut nën strehën e Shtëpisë së Arteve deri në orët e hershme të mëngjesit. Gjatë mesditës së të shtunës, poetët pjesëmarrës, shëtitën nëpër bulevardet e bukura të qytetit të Kërçovës, u ngjitën në majat e Kalasë së Kërçovës, nga ky si në pëllëmbë u duk Kërçova e nusëruar, ashtu krenare tek rrënjët e Kalasë së lashtësisë uskanase për të vazhduar mëpas me një vizitë të QP” Nëna Shqiptare”në Zajaz, ku u pritën nga flamuri gjigand i viktimave të rezistencës shqiptare dhe shtatorja e Nënës mburojë Shqiptare. Gjatë mbrëmjes vijuese, organizatori, Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë “Penestia” nga Kërçova, kishte paraparë promovimin e titujve tëlibrave të autorëve pjesëmarrës të Takimit poetik mbarëkombëtar “Hyjnesha Ilire Thana”, ku u promovuan tre tituj: “Do ta deh botën”, “Me forcën e shpirtit”, dhe “Letër e pashkruar” të autores Lola Shehi, “Arratisje (102 lirika)” të Agim Xhekës, “Një psherëtimë e marr me vete” të autorit Riza Çato, “Mjellmë në mjegull” të autores Rakela Zoga si dhe “Një tjetër diell” të Vaso Papajt, për të cilat referuan Rami Kamberi, Agim Bajrami dhe Adem Xheladini. Gjatë takimeve poetike “Guri i Hyjneshës Ilire Thana” u promovuan poashtu edhe veprat e autorëve kërçovarë Selim Adili e Begzat Rrahmani, si dhe përpara auditorit u paraqitën penat e reja të Kërçovës si Fisnike Rasimi, Mirandë Kadriu dhe Jonida Jusufi. Pas kësaj në emër të Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë dhe Komunës së Kërçovës, Adem Xheladini për pjesëmarrësit e takimit poetik për kontribut në fushën e letërsisë ndau mirënjohje. Përgjatë këtyre ditëve të muzave nën shkëlqimin e Thanës, kumboi edhe zëri magjepsës i Naim Kërçukut, këngëtar i mirënjohur i disa festivaleve të këngës në Radiotelevizionin Shqiptar si dhe këngëtares famëmadhe të Kërçovës Lumturije Axhami-Sejdini, e cila ngjalli emocione të veçanta tek pjesëmarrësit e pranishëm,duke i ngritur të vallëzojnë një për një dhe kësisoj të jenëpjesë e haresë e frymëzimit të ri. Duhet theksuar se për gjithë këtë aktivitet kulturor përkrah dhe pandashëm u ndodh Komuna e Kërçovës e udhëhequr ngakreu i saj Fatmir Dehari, e cila si edhe katër vitet e mëparshme u përkujdes që poetët të ndjehen si në shtëpitë e tyre dhe të shpalosin vargun e tyre poetik.