Shkup, 24 janar – Takimet mes përfaqësuesve të partive parlamentare nga Kuvendi i Maqedonisë në kuadër të procesit “Zhan Mone” janë anuluar për në mars. Fillimisht ata duhej të mbaheshin në Paris më 25 dhe 26 janar.
Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi tha se takimet janë anuluar për muajin mars në marrëveshje me eurodeputetët të cilët iniciuan bisedime mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës në shtëpinë e Zhan Monesë pas incidentit të dhunshëm në Parlament më 27 prill.
Arsyeja për këtë anulim siç tregon Xhaferi, është që këto takime nuk duhet të vihen në kontekstin e bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, e cila është intensifikuar gjatë kësaj periudhe, por edhe për t’i dhënë kohë opozitës VMRO-DPMNE-së që të konsolidohet pas zgjedhjes së udhëheqësisë së re.