Shkup, 8 korrik – Kryeministri Zoran Zaev u takua me ambasadorin e Republikës së Francës në vend, Kristian Timonie. Në takimin, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, u konstatua se Franca është mik i madh i Maqedonisë së Veriut dhe se miqësia e sinqertë ndihmon në proceset demokratike dhe integruese të vendit tonë.
Kryeministri Zaev informoi për përcaktimin e ndarë me kryeministrin francez Eduar Filip në Poznanj, Poloni, që të intensifikohen marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, me avancim në më shumë sfera, mes të cilave edhe ekonomia.
Në takimin me ambasadorin francez u bisedua edhe për implementimin e reformave të nevojshme dhe për rëndësinë për shfaqjen e përgjegjësisë nga ana e të gjitha subjekteve politike dhe faktorëve shoqërorë me interes shtetëror.
“Fuqimisht jemi të përkushtuar në implementimin praktik të të gjitha ligjeve të miratuara dhe hapave reformuese. Përcaktimi i ynë si Qeveri është, në periudhën e ardhshme, së bashku me opozitën, që edhe më të përqëndruar t’i përkushtohemi zgjidhjes për Ligjin për prokurori publike. Jurisprudencë efikase dhe luftë kundër korrupsionit janë dy sferat e rëndësishme për shtetin tonë, i cili është i përcaktuar për integrim evropian dhe pret hapa në tetor në pjesën e eurointegrimeve”, tha Zaev në takimin me ambasadorin francez.
Kryeministri ka biseduar me ambasadorin Timonie edhe për hapat ekonomike që do të ndërmerren me qëllim të rritjes së rrogave dhe pensioneve dhe rritjes së madhe ekonomike, që qytetarët t’i ndjejnë beneficionet e drejtpërdrejta në cilësinë e jetës.(koha.mk)