Kajro, 20 nëntor – Liga Arabe të hënën do të zhvillojë mbledhje urgjente të Ministrave të Punëve të Jashtme ku do të diskutohet për ndryshimin e qëndrimit të Uashingtonit për lagjet izraelite në Bregun Perëndimor, transmeton gazeta KOHA.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp të hënën deklaroi se lagjet izraelite në Bregun Perëndimor nuk i konsideron si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke e ndryshuar kështu qëndrimin e Uashingtonit për këtë çështje pas katër dekadash.
Sekretari amerikan i shtetit, Majk Pompeo deklaroi se SHBA-ja e hedh poshtë mendimin juridik të Departamentit të Shtetit të vitit 1978 se ndërtimi i lagjeve në territoret e okupuara nuk është në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare.
Pompeo para gazetarëve në Departamentin e Shtetit deklaroi se administrata e Trampit beson se të gjitha çështjet juridike në lidhje me lagjet duhet të zgjidhen nga gjykata izraelite.(koha.mk)