Shkup, 18 korrik – Takimi i liderëve i caktuar për nesër sipas gjitha gjasave do të mbahet në mungesë të liderit të partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE Hristian Mickovski, njofton Koha.mk
Kryeministri Zoran Zaev dje në konferencën për shtyp në Qeveri përsëri i bëri thirrje Mickoskit që të vijë në takim, duke theksuar se ai do të mbahet pa dallim të pjesëmarrjes së tij dhe se është përgjegjësi e tij se a do të paraqitet në takim. Mickoski, nuk ndryshoi qëndrimin se nuk sheh nevojë që të marrë pjesë në takim në të cilin, siç tha të martën, do të bisedohet për gjithçka, e jo për atë që i nevojitet shtetit-zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pjesëmarrjen në takim e konfirmuan Ali Ahmeti i BDI-së dhe Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët.
“Unë jam i gatshëm për të biseduar duke e përfshirë edhe atë që Mickoski dëshiron ta shënojë. E bëj edhe një përpjekje, rendi është të paraqitemi atje. Nuk duhet të dakordohemi për të gjitha çështjet por duhet të bisedojmë. Ai është obligimi ynë”, tha Zaev dje në konferencë për shtyp.
Sipas tij, nuk mund të jemi vend normal nëse liderët nuk ulen për të biseduar për regjistrimin, sepse ai nuk mund të anulohet edhe për dhjetë vjet.
Mickoski dëshiron të bisedohet për zgjedhjet e parakohshme, por, siç tha, së pari duhet të dakordohen për Kodin Zgjedhor, për sjelljen e të cilit rekomandime dha edhe ODIHR. Sipas tij, është urgjente edhe sjellja e ligjit për Prokurorinë Publike.
Kryeministri përsëriti se takimi i liderëve do të mbahet të premten, të gjitha temat janë potencial për bisedë, por që nuk ka për qëllim të plotësojë dëshirë për zgjedhje të parakohshme.
“Nuk kam për qëllim të plotësojë dëshira për zgjedhje të parakohshme, edhe pse e di se do të fitoj, se pushteti do të fitojë. Por nuk kam për qëllim vetëm për shkak të asaj që të mos i bëj dëm perspektivave ekonomike të qytetarëve”, shtoi Zaev.
Megjithatë, Zaevi tha se pret që Mickoski të paraqitet në takimin e liderëve, duke theksuar se ai, si një nga pjesëmarrësit politik, do të vazhdojë t’i shtyjë proceset që e fusin shtetin në NATO dhe BE, si dhe rritja e parametrave ekonomikë, sepse, siç tha, ajo është pritja e qytetarëve.
Nga VMRO-DPMNE-ja dje nuk kishte kurrfarë komenti, e as reagimi për thirrjen e sërishme të kryeministrit Mickoski që të marrë pjesë në takim.
Në konferencën e fundit për shtyp të cilën e mbajti Mickoski të martën kërkoi dorëheqje nga Qeveria dhe zgjedhje të parakohshme, por i parashtroi një varg pyetjesh në lidhje me PSP-në dhe të involvuarve në rastin “Zhavtje”.
Pjesa më e madhe e zënkave partiake dhe konferencave për shtyp, ishin në lidhje me rastin “Zhavtje” dhe dyshimet në lidhje me prokuroren speciale publike Katica Janeva. (koha.mk)