Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me kryeministrin Edi Rama, ku natyrisht zhvillimet më të fundit në futbollin shqiptar, kanë qenë në qendër të vëmendjes.
Nga sa mësohet, Duka ka vënë në dijeni kryeministrin për situatën e rënduar të sigurisë në stadiume, që degjeneroi në dhunë ndaj arbitrit Eldorjan Hamiti në përfundim të sfidës Kamza-Laçi dhe që u pasua me braktisje të garave nga ana e arbitrave të vendit.
Gjithashtu, sipas burimeve, kryeministri ka ofruar gatishmërinë e tij për zgjidhjen e të gjithë problemeve, ndërsa të hënën është programuar një tryezë sigurie me pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të institucioneve, si numri 1 i qeverisë, Duka, ministri i Brendshëm etj.
Kujtojmë që këtë fundjavë futbolli në Shqipëri është ndalur dhe nuk do të zhvillohet asnjë takim, pasi Shoqata e Arbitrave ka vendosur bojkotimin, deri në marrjen e masave të sigurisë.