Athinë, 1 nëntor – Për marrëdhëniet bilaterale, për implementimin e Marrëveshjes së Prespës, për thellimin e bashkëpunimit, por edhe për fillimin e linjës ajrore Athinë-Shkup, biseduan mes tjerash zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë, Bujar Osmani dhe nikoqiri i tij ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Katrugallos, lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Osmani shfaqi shpresë dhe optimizëm se deri në fund të vitit Maqedonia do t’i përfundojë ndryshimet kushtetuese.
“E informova ministrin Katrugallos për progresin në lidhje me implementimin e Marrëveshjes së Prespës, pasi Parlamenti me shumicë prej dy të tretave dha dritë jeshile për ndryshimet kushtetuese dhe ne presim, shpresojmë se deri në fund të vitit do të përfundojë ky proces, ndërsa pastaj gjithashtu të vërtetohet këtu në Greqi, ndërsa pastaj unë besoj se do të ketë shpërthim të mundësive pozitive në bashkëpunimin e vendeve tona, të cilat do të jenë prioritete të reja strategjike në rajon”, tha Osmani pas takimit dhe shtoi se Greqinë e sheh si vend udhëheqës për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Zëvendëskryeministri sqaroi se është përqendruar në përgatitjen e vendit për bisedime me BE-në dhe ka kërkuar nga Katrugallos Greqia ta ndajë përvojën e saj.
“Biseduam për promovimin dhe respektimin e frymës së Marrëveshjes së Prespës si marrëveshje që jo vetëm që zgjidh një problem që i mundonte të dyja vendet, por e stabilizon rajonin më të gjerë dhe siguron perspektivën e vendit nga rajoni jonë”, tha Katrugallos duke shtuar se kjo është politikë e fuqishme e Greqisë.
Osmani dhe Katrugallos e përmendën edhe vendosjen e sërishme të linjës ajrore ndërmjet Shkupit dhe Athinës, për të cilën zëvendëskryeministri tha se në “mënyrën më të mirë e simbolizon lidhjen e partnerëve të rinj strategjik në rajon”.
Menjëherë pas takimit në MPJ-në greke, Osmani dhe Katrugallos së bashku me delegacionet e tyre u nisën drejtë aeroportit të Athinës “Elefterios Venizelos”, ku shefi alternativ i diplomacisë greke do ta dërgojë në mënyrë simbolike zëvendëskryeministrin në fluturimin e parë pas pauzës prej mbi 10-të viteve nga Athina për Shkup, në të cilin do të jetë edhe korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Fluturimi është në orën 18:40 sipas kohës lokale, ndërsa në Shkup arrin pas 1 ore e 15 minutave, gjegjësisht në orën 18:55 sipas kohës së Maqedonisë.
Delegacioni të cilin e kryeson zëvendëskryeministri Osmani pas arritjes në Shkup, së bashku me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski, do të jetë pjesë e manifestimit të cilin me rastin e fluturimit të parë e organizon TAV.