Shkup, 6 shkurt – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot realizoi takim me partinë politike Aleanca për Shqiptarët (ASH), e kryesuar nga Ziadin Sela. Takimet me partitë politike që i realizon OEMVP-ja, siç theksojnë prej atje, janë shndërruar në traditë institucionale dhe paraqesin mundësi për ta prezantuar misionin Odës e që është korrigjimi i politikave makro-ekonomike.
“Në këto takime prezantohet Platforma për zhvillim ekonomik të Maqedonisë së Veriut e përgatitur nga OEMVP-ja, që përfshin propozim politika prioritare në formë të masave, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo udhëhiqet nga parimet bazë mbi të cilat do të ndërtohet bashkëpunim i ndërsjellë mes komunitetit të biznesit dhe aktorëve politik”, theksohet në komunikatë.
Në kuadër të kësaj Platforme ekonomike nga OEMVP-ja, janë të përfshira edhe këndvështrimet dhe problemet me të cilat ballafaqohen bizneset si dhe mundësitë e tejkalimit të tyre. Qëllimi i kësaj platforme ekonomike është që të prezantojë vizionin, qëndrimet si dhe masat e OEMVP-së që të njëjtat të përfshihen në programin e qeverisë së re.
Nebi Hoxha nga OEMVP theksoi që bashkëpunimi me partitë politike në vend është shumë i rëndësishëm për krijimin e kushteve të volitshme të të bërit biznes në vend, pasi që është shumë e rëndësishme që të dëgjohet zëri i bizneseve dhe kërkesat e tyre të merren parasysh nga institucionet relevante në vend. Partive politike ju identifikojmë problemet dhe japim zgjidhjet në formë të masave konkrete e gjithë kjo me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Ndërkohë, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët theksoi që e përshëndet iniciativën e OEMVP-së për të prezantuar Platformën, pasi bizneset janë gjenerues të të mirave materiale për shoqërinë si dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.
Takimet me të gjitha partitë politike dëshmojnë se OEMVP është parimore në qasjen e saj dhe se çdo subjekt që mund dhe është i interesuar të kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit do të gjejë partneritet në OEMVP, theksohet në kumtesë.