Shkup, 28 janar – Jemi të bindur se me kultivimin e vlerave universale siç janë toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë dhe respekti, do t’u ndihmojë gjeneratave më të reja të mos jenë viktima të së keqes, por të jenë pjesë e ndërtimit të një shoqërie më të mirë dhe më të drejtë, por edhe se të gjithë ne duhet të përkujtojmë Holokaustin në nderë të viktimave që të pengohet dhe të mos përsëritet kudo në botë, tha rektori i Universitetit “Nënë Tereza” Aziz Pollozhani në Takimin e sotëm memorial kushtuar viktimave të Holokaustit, njofton koha.mk
Me rezolutën 60/7 të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së u përcaktua kjo ditë, tha Polozhani, si datë e cila duhet të mbahet mend, të afirmohet dhe të bëhet pjesë e debateve që të jetë objekt studimi, kështu që ngjarjet e tilla të mos përsëriten më shumë.
“Secili prej nesh ka përgjegjësi t’i kundërvihet padrejtësisë, kështu që nuk duhet të heshtim kur grupet e margjinalizuara janë të rrezikuara. Nuk duhet të nënçmojmë rolin e urrejtjes dhe paragjykimeve, të mos jemi indiferent, gjithmonë të jemi ana e djathtë, nga ana e të ‘mirës’ sepse gjithmonë kështu do të mund të parandalohet përsëritja e tragjedive të tilla apo të ngjashme”, deklaroi rektori Pollozhani.
Potencoi se rëndësia e përkujtimit të Holokaustit dhe veprave të tmerrshme të cilat janë kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë rëndësi gjithnjë e më të madhe sepse ato mund të përsëriten, sado që të duket e pamundur, njëjtë siç u dukej shumë intelektualëve të atëhershëm në atë kohë se mund të ndodhin krime të tilla.
Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu, tha se duhet të angazhohemi më shumë që të luftojmë kundër diskriminimit racor dhe fetar që të mos përsëriten ngjarjet e tilla.
“Ne i qëndrojmë besnik parimit se shtëpia shqiptare është shtëpi e Perëndisë dhe mysafirit, dhe kjo është traditë shumëvjeçare që nga ekzistimi ynë”. deklaroi Ganiu.
Ambasadori i Kosovës në vend Gjergj Dedaj, tha se qytetarët e Kosovës, por edhe të Maqedonisë në kohët më të vështira i kanë mbështetur dhe strehuar hebrenjtë gjatë sulmeve barbare naziste.
Skender Asani nga OJQ ” Akta Non Verba” tha se dy fakte të rëndësishme e bëjnë Shkupin ton të njohur në mbarë botën, ndërsa këto janë humanizmi të cilin e trashëguam nga Nënë Tereza dhe deportimi e 98 për qind të hebrenjve nga Shkupi në Treblinka – kampin e vdekjes.
“Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ka pasur një grup njerëzish të cilët kanë mbijetuar. Pas aq shumë vitesh e kuptuam se shoqëria jonë ka nevojë për projekt të ri, fillim të ri… mundësi të reja! Do ta theksoj projektin tonë ‘Guximi civil në kohëra të rrezikshme’, projekt i cili u ka dhënë mundësi të gjithëve që jetojnë në vendin tonë. Sot në suaza të këtij projekti krijojmë lidhje për bashkëpunim mes universiteteve në Maqedoni dhe Izrael”, tha Asani.
Kjo ditë u përcaktua me Rezolutën e 1 nëntorit të vitit 2005, gjatë seancës së 42 plenare, me rastin e 60-të vjetorit nga çlirimi i kampeve naziste dhe përfundimin e Holokaustit duke e llogaritur edhe ditën kur është çliruar edhe kampi më i madh Aushvic Birkenau më 27 janar të vitit 1945. (koha.mk)