Prishtinë, 13 dhjetor – Liderët e dy partive fituese në zgjedhjet parlamentare të tetorit në Kosovë, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), u mblodhën sot pa paralajmërim, në tentim të ri për të arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së ardhshme, njofton gazeta KOHA.
Edhe në takimin e tretë me radhë të dy liderëve pas shpalljes së rezultateve zyrtare nga zgjedhjet nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) më 27 nëntor, gazetarëve nuk u lejua ta ndjekin takimin, ndërsa këtë herë nuk ju mundësua as fotografimi.
Mustafa, partia e të cilit në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit fitoi rreth 25 për qind të votave, gjegjësisht diçka mbi një për qind më pak vota nga partia e Kurtit, i cili pritet ta kryesojë qeverinë e ardhshme, para takimit në Kuvendin e Kosovës u deklaroi shkurt gazetarëve se nuk është në dijeni kur do të arrihet marrëveshje, por se bëhen përpjekje që të vijë deri tek ajo.
“Biseduam, ndërsa kur bisedojmë këtë e bëjmë në favor të marrëveshjes. Për atë se kur do të dakordohemi – këtë nuk mund ta garantoj sot”, ka thënë Mustafa.
Kontesti në negociatat mes dy partive tani për tani opozitare u shkaktua pasi LDK-ja doli me kërkesë për ta marrë funksionin e presidentit të shtetit, pasi në prill të vitit 2021 do t’i përfundojë mandati i presidentit aktual Hashim Thaçi.
Anëtarja e Kryesisë së VV-së, Albulena Haxhiu të mërkurën kërkesën e tillë të LDK-së e quajti absurde dhe porositi se nëse partia e Mustafës vazhdon të insistojë në marrjen e këtij funksioni, atëherë alternativa e vetme është vendi të shkojë në zgjedhje.(koha.mk)