Uashington, 29 mars – Presidenti i Koresë së Jugut Mun Xhae-In më 11 prill në Uashington do të takohet me presidentin amerikan Donald Tramp që të bisedojnë për Korenë e Veriut dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me marrëveshjen e tyre ushtarake, kumtoi sot Shtëpia e Bardhë.
Funksionarë të lartë të Koresë së Jugut, duke përfshirë edhe presidentin Mun, në këtë mënyrë do të fillojnë serinë e takimeve me kolegët e tyre nga SHBA-ja në tentim që sërish ta aktualizojnë ndërprerjen e negociatave për denuklearizim të Koresë së Veriut.
“Aleanca mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut mbetet kyçe për paqen dhe sigurinë e Gadishullit korean edhe rajonit”, qëndron në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.
Mossuksesi i Trampit që të lidh marrëveshje në mbledhjen e dytë me liderin verikorean Kim Xhong-un në Hanoi në shkurt, ishte goditje për Munin, i cili ka shprehur bindje se Kim është i gatshëm të heq dorë nga arsenali i vet bërthamor, komentojnë agjencitë botërore.
Uashingtoni dhe Seuli po ashtu kanë pasur mosmarrëveshje rreth harxhimeve të trupave amerikanë në Korenë e Jugut, duke marrë parasysh atë se Trampi ka kërkuar që Seuli të investojë më shumë para për kujdesjen e 28.500 ushtarëve amerikanë.