Shkup, 21 shtator – Kryeministri Zoran Zaev u takua me ambasadorin e Republikës së Austrisë në vend Georg Vucas, me ç’rast janë shprehur urimet për zgjedhjen e qeverisë së re dhe është konfirmuar mbështetja e Austrisë për integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Zaev, siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, i dërgoi mesazh kancelarit austriak Sebastian Kurc se qeveria e sapozgjedhur në vend është plotësisht e përkushtuar në rrugën evropiane.
Në takim u ra dakord që sundimi i ligjit është një nga fushat kryesore për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për integrimin dhe u arrit në përfundimin se Austria mund të ndihmojë në përmirësimet në këtë fushë.
“Mundësi të mëdha tani janë para nesh, pasi kemi vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët dhe kështu kemi krijuar mundësi për përfitime për qytetarët tanë në planin vendor. Këto janë mundësi ekonomike me rëndësi si për qytetarët ashtu edhe për shtetin. Qeveria, me zhvillimin e ekonomisë, është përcaktuar në mënyrë të vendosur të punojë edhe në sundimin e ligjit dhe është e gatshme të bashkëpunojë me Austrinë dhe institucionet evropiane në mënyrë që t’i harmonizojë praktikat dhe legjislacionin”, tha kryeministri Zaev.
Ai, siç qëndron në kumtesë, foli edhe për angazhimin e qeverisë në zhvillimin e arsimit dhe sistemin shëndetësor dhe e falënderoi Austrinë dhe vendet e BE-së për solidaritetin e tyre gjatë krizës shëndetësore.
Në takim është konstatuar se bashkëpunimi ekonomik midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Austrisë është i shkëlqyeshëm dhe se ka mundësi për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në periudhën e ardhshme, në fushën e investimeve, shëndetësisë, energjisë, tregtisë, kulturës, bujqësisë.