Xhanluixhi Donaruma mund të jetë zëvendësuesi i Bufonit te skuadra e Juventusit. Këta të fundit e ndjekin prej kohësh portierin kuqezi. 22-vjeçarit i përfundon kontrata me Milanin në fund të sezonit dhe ende nuk është arritur një marrëveshje për rinovimin e saj.
Flitet se lojtari, për të pranuar akordin e ri, ka vendosur si kusht kualifikimin në Ligën e Kampioneve. Vetëm me sigurinë e Champions-it, ai do të pranonte të mbetej te kuqezinjtë, ndaj të cilëve ka një ndjesi mirënjohjeje e nuk do të donte të largohej duke i lënë pa asnjë përfitim. Aktualisht, drejtori Maldini i ka ofruar rinovimin me një rrogë prej 8 milionë eurosh në sezon që do ta bënte lojtarin e dytë më të paguar në Serinë A pas Kristiano Ronaldos, gjithmonë nëse portugezi vendos të mbetet nën urdhrat e “Zonjës”.
TAKIM NË TORINO – Sidoqoftë, teksa portieri merr kohë për vendimin, menaxheri i tij, Mino Raiola, ka filluar të bëjë lëvizjet e para për të bërë presion te drejtuesit e “Djallit”, por edhe për të pasur gati skuadrën në rast se lojtari nuk gjen një marrëveshje rinovimi. Lidhur me përpjekjet e tij, raportohet se Raiola ka pasur një takim sekret me drejtuesit e Juventusit, që i është zbuluar nga mediat, ndonëse u mundua ta fshihte. Menaxheri po bisedon me drejtuesit bardhezinj, të cilët janë gati për ta afruar lojtarin, për të cilin përveç pagës nuk do të duhet të paguajnë asgjë tjetër. Në lidhje me takimin e Torinos ka edhe zëra se është organizuar për të biseduar për lojtarë të Juventusit nën patronazhin e Raiolës apo për shkëmbimin me pak gjasa realizimi mes Bernardeskit dhe Romanjolit, por vetëm koha do të tregojë të vërtetën e kësaj bisede.
TAKIM NË MILANO – Megjithatë, ekziston edhe mundësia që lojtari të rinovojë me Milanin, por duke iu plotësuar kërkesa që ka, me 10 milionë euro në sezon, duke parë edhe si një mundësi shumë të mirë të luajë në Ligën e Kampioneve për sezonin tjetër, pasi kuqezinjtë e Piolit duken shumë afër këtij objektivi. Për t’i dhënë një drejtim çështjes do të shërbejë takimi i radhës i Raiolës që thuhet se është planifikuar të kryhet në Milano e në prani të drejtuesve të Milanit. Diferenca prej 2 milionë eurosh mes kërkesës dhe ofertës mund të sheshohet vetëm me një ndërhyrje të fortë të Donarumës që duket i vetmi që ka në dorë të gjithë situatën.