Shkup, 2 korrik – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, sot realizoi takim me ndihmësin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për përballje me sfidat e reja të sigurisë, Antonio Misiroli, i cili ndodhet për vizitë në vend me rastin e takimit kushtuar ngjarjes për promovim të “Digjitalizimit të Sistemit për menaxhim me kriza në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në organizim të Qendrës për menaxhim me kriza dhe mbështetur nga programi i NATO-s – Shkenca për paqe dhe siguri (SPS).
Siç kumtoi MPJ, në takim Dimitrov dhe ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Misiroli diskutuan për aktivitetet programore të Programit të NATO-s – Shkenca për paqe dhe siguri, që ka për qëllim mbështetjen e hulumtimeve shkencore, inovacioneve dhe këmbimin e njohurive në vendet anëtare dhe vendet partnere të NATO-s.
Me këtë rast, u prezantuan mundësitë e Programit, i cili mes tjerash siguron mjete financiare, këshilla profesionale dhe mbështetje për aktivitete relevante të sigurisë, në promovim të bashkëpunimit praktik civil dhe të sigurisë i cili bashkarisht po zhvillohet në suaza të këtij programi, qëndron në kumtesën e MPJ-së.(koha.mk)