Shkup, 17 shtator – Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi këtë pasdite mbajti takim pune me Bordin drejtues të Këshillit të investitorëve të huaj, ku u diskutua për sfidat me të cilat përballen kompanitë e huaja, situata aktuale ekonomike, por dhe për planet e Qeverisë në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë.
Ai theksoi se në javët e para të konstituimit të saj, Qeveria mbajti një seri takimesh me të gjithë pjesëmarrësit relevantë në jetën ekonomike, të një natyre konsultative, për të dëgjuar fillimisht sfidat dhe zgjidhjet e propozuara për t’i kapërcyer ato nga komuniteti i biznesit, punëtorët dhe komuniteti shkencor, në mënyrë që të krijojë një grup masash gjithëpërfshirës dhe efektiv për të mbështetur ata që kanë më shumë nevojë për të.
“Bytyqi u përqendrua edhe në planet e Qeverisë, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, të cilat parashikojnë krijimin e një Platforme për zhvillimin ekonomik, e cila do të mundësojë para se gjithash rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme të ekonomisë, por edhe parashikueshmëri dhe siguri për investitorët e huaj dhe vendas. Krijimi i një klime edhe më të favorshme të biznesit, përmes konsultimeve për çdo ndryshim të madh që mund të ndikojë në aktivitetet e biznesit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit dhe lufta kundër ekonomisë gri janë vetëm disa nga temat për të cilat në periudhën e ardhshme, do të krijohet një front i gjerë i aktiviteteve, të cilat do të kërkojnë bashkëpunim të ngushtë midis të gjitha palëve në jetën ekonomike”, thonë nga Kabineti i tij.
Pikërisht në këtë drejtim kanë qenë edhe kërkesat kryesore të Këshillit të investitorëve të huaj të prezantuara nga kryetari dhe drejtori ekzekutiv i EVN-së, Shtefan Peter.
Në fund të takimit, zëvendëskryeministri Bytyqi dhe anëtarët e Bordit drejtues të Këshillit të investitorëve të huaj, riafirmuan interesin e përbashkët dhe dëshirën për dialog të hapur dhe partneritet midis palëve të interesit në ekonomi, kryesisht për të dalë nga kriza e shkaktuar nga KOVID-19, por edhe për zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme, kumtojnë nga Kabineti i zëvendëskryeministrit.