Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së po zhvillohet mirë – këtu erdhi gjysma e Evropës dhe kjo tregon se çfarë roli të rëndësishëm luan Bullgaria në politikën evropiane, deklaroi kryeministri i Hungarisë Viktor Orban pas takimit në Sofje me kolegun e tij bullgar, Bojko Borisov. “Biseduam për të ardhmen e Evropës me theks të posaçëm në Ballkan, sigurinë e kufijve dhe migrimin”, theksoi Orban. Ai tha se e kishte uruar Borisovin për politikën e tij, me çka pozitivisht i ka vlerësuar kontaktet me Turqinë në raport me migrimin. “E përkrahim bashkëpunimin me Turqinë, pasi kufijtë duhet njëkohësisht të mbrohen, dhe duhet të ekzistojnë marrëveshje për këtë çështje”, tha Orban.
“Tash kemi mundësi që ta integrojmë Ballkanin në Evropë. Mes Bullgarisë dhe Hungarisë ka shumë shtete të vilat duan të bëhen pjesë e BE-së. Vendim i shkëlqyer është ai që në Sofje në maj do të ketë konferencë të madhe kushtuar së ardhmes së Ballkanit në BE. Ky do të jetë kongres përfundimtar, sepse këtu duhet definitivisht të kumtohet pranimi i Malit të Zi dhe Serbisë, dhe të caktohen afatet për këtë”, tha Borisov. “Nuk mjafton që Ballkani të pranohet në BE, por duhet edhe të ndërtohet në Union përmes infrastrukturës”, theksoi Borisov. “Nga kjo do të përfitojnë të gjitha vendet e rajonit, por gjithashtu do të jetë edhe në favor tonin. Korridoret transportuese e lidhin Bullgarinë dhe Hungarinë përmes vendeve nga ky rajon”, tha kryeministri bullgar.