Prishtinë, 19 gusht – Lideri i Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD) e Shpend Ahmetit pas takimit të sotëm me kryetarin e opozitës më të madhe të Kosovës, Lidhje Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka deklaruar se te subjektet politike ekziston disponim për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor, njofton korrespondenti i MIA-s në Prishtinë.
Ahmeti në dalje nga restoranti ku paradite është mbajtur takimi i paparalajmëruar me Mustafën ka deklaruar për gazetarët se të enjten, 22 gusht, me siguri të gjithë deputetët nga pushteti dhe opozita do të jenë prezent në Kuvend që të votojnë shpërndarjen me çka do të hapet rruga për caktimin e datës për zgjedhjet e jashtëzakonshme, përcjellë KOHA.
“U pajtuam më 22 gusht të gjithë të jemi në sallë që të sigurojmë që Kuvendi do të shpërndahet dhe të hapim rrugën e zgjedhjeve. Data që më së shpeshti përmendet është 6 tetori. Pra, nëse shpërbëhet të enjten Kuvendi, atëherë mbeten dy data- 29 shtatori dhe 6 tetori, por si duket ekziston te të gjithë gatishmëria që zgjedhjet të mbahen më 6 tetor”, ka thënë Ahmeti.
Lideri i PSD-së dhe kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka paralajmëruar se sot do të takohet edhe me kryeministrin në dorëheqje dhe liderin e AAK-së Ramush Haradinaj me çka nuk përjashtoi mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor mes dy partive.
Pas dorëheqjes së Haradinajt, partitë parlamentare edhe nga pushteti dhe opozita u dakorduan se zgjidhje për situatën e krijuar janë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe e kanë hedhur poshtë mundësinë e formimit të qeverisë teknike dhe emërimit të mandatarit të ri. (koha.mk)