Udhëheqësi i një aleance të re ekstremistësh sirianë, përfshirë edhe ish grupin e Al Kaedës në Siri, është zotuar për shtimin e sulmeve kundër ushtrisë siriane dhe aleatëve të tyre shiit, me qëllim rrëzimin nga pushteti të presidentit, Bashar al Assad. Hashem al-Sheikh, udhëheqësi i “Tahrir al Sham” që është themeluar muajin e kaluar, përmes një video regjistrimi, ka thënë se grupi i ri ka për qëllim që të “çlirojë” të gjithë territorin sirian. “Tahrir al-Sham” është themeluar me bashkimin e ish grupit, Fronti al Nusra, që tani quhet “Fateh al Sham”, me disa grupe të tjera. Aleanca ka mijëra luftëtarë që së fundi janë larguar nga Ushtria e Lirë Siriane, të zemëruar me udhëheqësit e tyre që kanë shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në procesin e paqes me qeverinë e Assadit.