Tiranë, 19 tetor – Ish-ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri ka komentuar shkurtimisht kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit të tij. Teksa Tahiri është pritur nga një numër i madh gazetarësh në momentin që po largohej me automobil, u përgjigj me shprehjen e “famshme” të Edi Ramës: “S’keni parë gjë akoma”. Në kërkesë të Prokurorisë publike për krime të rënda, Tahirit i është marrë pasaporta, ndërsa pritet t’i merret edhe imuniteti. Kryeministri Rama, thotë se uron që Saimir Tahiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh dhe se ka vetëm një rrugë për ta mësuar këtë. “Por këtë dua ta mësoj nga drita e së vërtetës dhe këtë dritë s’e kam as unë, as qeveria, as partia. E ka vetëm drejtësia që duhet të na e ndriçojë këtë udhëkryq mes llafeve e provave. Deri në fund”, shprehet kryeministri Rama.