Prokuroria Speciale Publike hapi katër hetime të reja financiare për katër persona të cilat kanë të bëjnë me furnizime në MPB, ndërtimi i një shkolle në komunën e Zajazit dhe evazione fiskale, ndërsa evidentohen nën emërtimet “Tabela”, Treqind”, “Total” dhe Tifani”.
Prokurorja Speciale Publike Fatime Fetai në konferencën e sotme për media informoi se hetimi i parë “Tabela” ka të bëjë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga ana e drejtorit të SHFQ “Rexho Rushiti” në Zajas për ndërtimin e shkollës. Fetai sqaroi se ai dyshohet se pa tender dhe në kundërshtim me detyrat e dhëna nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka lidhur marrëveshje për ndërtimin e shkollës në fshatin Strogovishtë me “Brauprof” SHPKNJK Kërçovë, me ç’rast ka mundësuar fitim të kundërligjshme prone prej 200.000 euro.
Hetimi i dytë “Treqind” ka të bëjë me vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare nga ana e ndihmësit të ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me furnizimin publik për 300 automjete. Siç tha Fetai ai dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin për 453.570 euro. Fetai theksoi se ekziston dyshim i bazuar se në mënyrë të kundërligjshme u ka ndarë marrëveshje për shitblerje dhe mirëmbajtjen e automjeteve Porshe, Kadis, Bohemia, Kolevski, Autokuqa dhe Automodus të zgjedhur si ofertues më të volitshëm ekonomik.
“Total” është hetimi i tretë në të cilin ekziston dyshim i bazuar për evazion fiskal nga ana e pronarit të agjencisë Total marketing, Total marketing SHPKNJK Shkup, Media maks dhe pronar i Total media centar Shkup. Fetai theksoi se nga materiali dëshmues del se prej vitit 2008 deri në vitin 2015 me qëllimin ai dhe personat juridik të evitojnë pagesë të pjesërishme të tatimeve në evidencën kontabiliste ka dhënë të dhëna të rrejshme me çka personat juridik për vitet e caktuara kanë evituar të paguajnë 121.414 euro dhe ai si person fizik ka evituar pagesë prej 63.032 eurove.
Personat juridik i ka shfrytëzuar për furnizim për nevoja të veta personale si dyshekë, orë dore, mobilie, tepihë persianë, enë kuzhine… Edhe hetimi i katërt “Tifani” është për fshehje tatimi në të cilën dyshohet personi fizik pronar i Smart centar SHPKNJP dhe Smart klub SHPKNJP i cili prej vitit 2008 deri në vitin 2014 ka evituar pagesë prej 34.634 eurove të personave juridik dhe për të 16.924.
Nga PSP theksuan se këto ditë do të formojnë akt akuzues dhe se nuk janë kërkuar masa për sigurim për asnjërin prej të dyshuarve. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, prokurorja Lençe Ristovska i hodhi poshtë akuzat se PSP po kryen presion ndaj mediumeve, duke cekur se punojnë sipas ligjit dhe për këtë arsye e informojnë opinionin.
Prokurorja speciale publike, Katica Janeva në konferencë prë shtyp kërkoi që Kuvendi i RM-së ta shqyrtojë mundësinë për vazhdim të afatit për funksionim të kësaj Prokurorie, duke cekur se këto hetime financiare kërkojnë periudhë më të gjatë kohore në mënyrë që të mund t’i kryejnë hetimet që kanë filluar dhe ta përmbushin mandatin. Prokuroria speciale publike deri më tani ka ngritur hetime për rastet “Tortura”, “Titanik”, “Transportuesi”, “TNT”, “Fortesa”, “Arka”, “Toplik”, “Tenderë”, “Target”, “Tarifa”, “Tanku” dhe “Trust”.