Shkup, 25 shkurt – Barazimi pa gola në fushë të Sileksit në ndeshjen e xhiros së 20 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ka lënë shije të hidhur në taborin kuqezi, pasi pretendimet ishin tre pikë të reja. Ekipi nuk arriti të shkonte përtej barazimit edhe pse në fund të ndeshjes mbase merituam të shënonim kur fati ishte krejtësisht me vendasit. Gjithsesi, trajneri i kuqezinjve Ernest Gjoka beson se ekipi mund të vazhdojë të ec përpara nëse të gjithë mbesin të bashkuar dhe me fokus në atë që pason në ndeshjet në vazhdim.
“Ky rezultat sigurisht se nuk më kënaq, sepse ne kemi vetëm një detyrë. Është pak problem për ekipin fakti që duhet të fitojmë me patjetër. Mendoj se kishim dy fytyra ndaj Sileksit, pjesa e parë ishte më stresuese, u munduam të kishim ekuilibër që të neutralizonim kundërshtarin, i cili do të tentonte të na kapte në befasi me topin e gjatë dhe sigurisht se nuk ishim te loja jonë më e mirë. Pjesa e dytë mendoj se ndryshoi totalisht, futja e Radeskit i dha tjetër ngjyrë. Patëm mundësi, patëm raste, por gjithsesi duhet akoma më shumë punë. Të mbajmë kokën lartë, sepse nuk janë ndeshje të lehta dhe kjo transfertë ishte akoma edhe më e rëndë se e para”, tha trajneri Gjoka.
Ai rikthehet të flas për rastet e humbura por pranon se ka kohë për ti evituar këto gabime dhe se kampionati është i gjatë. “Sigurisht që të fitosh ndeshjen duhet të bësh raste shumë dhe ndonjë nga këto raste të shënosh. Nuk është se ne bëmë jashtëzakonisht shumë raste, por ne menaxhuam ndeshjen sidomos në pjesën e parë. Kjo ishte një detyrë e skuadrës që të kemi kujdes, sepse atë që kemi studiuar kundërshtari në fushë të vet dhe sidomos në pjesën e parë bën shumë presion dhe mundohet të japë gjithçka për gjithçka. Pjesën e dytë ne u munduam, dolëm para portës, goditëm, patëm raste, humbëm, shtyllë. Ky është futbolli, në fund fare në qoftë se nuk arrin të bësh një gol nuk mund të marrësh tre pikëshin. Por gjithsesi skuadra po reagon mirë dhe po lufton deri në maksimum. Sot jemi mërzit shumë të gjithë, por unë them që ta mbajmë kokën lartë dhe të vazhdojmë punën sepse kampionati është shumë i gjatë. E rëndësishme që skuadra ka një shpirt gare ndryshe dhe kërkon që edhe në transfertë ta kërkojë fitoren deri në moment të fundit”, shtoi më tej Gjoka.
Në fund trajneri i Shkëndijës falënderoi grupin e tifozëve “Ballistët” të cilët në mënyrë të organizuar përkrahën skuadrën në stadiumin në Kratovë. “Absolutisht që prania e ‘Ballistëve’ na ndihmon shumë. Ata djem unë i falënderoj për ardhjen deri këtu, që na ndihmuan deri na dhënë gjatë gjithë kohës mbështetje. Por, them që duhet të vazhdojmë të gjithë së bashku, ta mbështesim njëri tjetrin për të ecur përpara. Unë besoj akoma që ne i kemi mundësitë për të ecur përpara dhe ndoshta ta kapim vendin e parë shumë shpejt”, përfundoi Ernest Gjoka, trajneri i Shkëndijës.
Pas këtij barazimi Shkëndija me 32 pikë mban pozitën e dytë në renditjen tabelore, dhjetë më pak së lideri aktual Vardari. Ndërkohë, ndeshjen e radhës kuqezinjtë do ta zhvillojnë si nikoqir më 1 mars, ndërsa për kundërshtar do të kenë skuadrën e Makedonia Gj.P. (koha.mk)