Janë disa kafshë që mund ta parandjenjë ndryshimin e motit, dhe me anë të lëvizjeve të tyre, e përcjellin edhe atë te njerëzit. Shpendët si dallëndyshja, harabeli janë disa nga këto që mund ta ndjejnë përkeqësimin e motit. Kështu të paktën është besuar gjithmonë.
– Kur harabelat mblidhen grumbull në tokë dhe shpupuriten në pluhur, pritet kohë me shi.
– Kur dallëndyshja fluturon ulët, paralajmëron kohë të keqe. Nëse fluturon duke bërë ulje-ngritje, atëherë furtuna po afron.
– Qeni, para se të nisë shiu, gërmon tokën fort me thonj. Kur ndien se do të bëjë mot i ftohtë, ai shtrihet përmbys dhe përpara kohës së nxehtë, ai shtrihet në shpinë.
– Para shiut, bletët qëndrojnë në zgjua dhe gumëzhijnë, milingonat mbyllin me shpejtësi hyrjen e folesë, ndërsa mizat futen në shtëpitë e njerëzve. Sa më të larta janë pirgjet e dheut që milingonat hapin në vjeshtë, aq më i ashpër është dimri.