Më 9 gusht 1999, Vladimir Putin u zgjodh kryeministër i Rusisë. Njeriu, tek i cili u varën shumë shpresa ndan tani jo vetëm rusët, por edhe botën
Nga Miodrag SORIC
Në fillim ai ishte “anti-Jelcini”: shumë më i ri se presidenti ende në detyrë, plot energji, me paraqitje të sigurtë në publik, refuzues ndaj vodkës. Para 20 vitesh, kreu i atëhershëm i qeverisë dhe më vonë presidenti i Rusisë u dha një vetëbesim të ri rusëve thellësisht të pasigurtë. Reformat e dështuara të viteve 90-të e tronditën besimin e rusëve, në Kaukaz kishte plasur lufta qytetare, Rusia ndodhej ekonomikisht në kulmin e krizës. Njeriu i ri që hyri në Kremlin ishte me “fat”. Rritja e çmimeve të lëndëve të para solli miliarda në arkat e shtetit. Putini investoi në ekonomi, i ktheu borxhet botës, luftoi varfërinë. Me dorë të hekurt ai i dha fund luftës në Çeçeni, dhe bëri që të dëgjohej sërish zëri i Rusisë në politikën botërore.
Nga përvoja e këtyre viteve Putin përfiton edhe sot. Ai ka një nuhatje të hollë për ëndrrën e rusëve për stabilitet dhe madhështi perandorake. Tanimë Vladimir Putin e inskenon veten si timonieri me përvojë, që e drejton anijen Rusi me dorë të sigurtë në stuhitë e kohës, gjithmonë duke i bërë ballë erës që i vjen kundër nga perëndimi. Ai u premton vendasve atë që duan të dëgjojnë; më shumë para për shkak të rritjes së rrogave, dhe rritje të shpenzimeve sociale.
Që nuk i mban premtimet, rusët e moshuar e dinë, por nuk shohin alternativë tjetër. Kurse rinia ruse sot mendon ndryshe. Ajo jeton në një botë që ndryshon me shpejtësi. Vetëm në Kremlin gjithçka mbetet siç ka qenë. Putini – mishërimi i “vazhdo kështu”. Gjenerata e re nuk identifikohet dot me një Putin, që thotë, se ende nuk ka një smartphone. Stabilitetin aq të vlerësuar nga rusët, kjo gjeneratë e sheh si mbajtje me thonj pas pushtetit. Kush flet si Putini për avantazhet e ndryshimit të klimës, nuk kthehet dot në idhull të rinisë. Shumë nxënës e studentë i përbuzin politikanët e korruptuar, prokurorët e gjykatësit që marrin ryshfet, oligarkët që nuk ngopen kurrë. Gjenerata e re në qytete kërkon transparencë në veprimet e shtetit. Dikur kjo quhej “glasnost”.
Por një perestrojkë, riformësim, siç u quajt reforma kyçe e epokës së Gorbatçovit, nuk ka për të pasur. Të ashtuquajturit “Siloviki”, burrat në moshë të aparatit të sigurisë, nuk lejojnë të shtyhen aq kollaj mënjanë. Nga demonstrues paqësorë jo e jo. E kështu sistemi Putin vazhdon punën e tij: Zgjedhjet manipulohen, shtypi censurohet, ata që mendojnë ndryshe përndiqen. Shoqëria ruse po polarizohet gjithnjë e më shumë.
Sa më shumë që qëndron në pushtet Vladimir Putin, aq më shumë po ndahen rusët në qëndrimin ndaj tij. Edhe më tej miliona rusë do të vazhdojnë ta adhurojnë Putinin, njeriun që e rriti influencën e Rusisë në Ukrainë, Gjeorgji dhe më tej. Politikanë reaksionarë në botë, edhe në Gjermani shohin madje tek ai një model se si mund të rifitohet sërish “madhështia kombëtare”: me dorë të fortë dhe dhunë. Nga ana tjetër politikanë liberalë demokratë e refuzojnë atë plotësisht dhe presin për një epokë pas Putinit.
Por kjo do të zgjasë. 20 vite në pushtet nuk mjaftojnë për të bërë bilanc. Epoka e Putinit zgjat deri në vitin 2024. Deri më tani ai e ka lënë të hapur, nëse do të vazhdojë të qeverisë edhe më tej. Politikani i sotëm Putin nuk është më ai i para 20 viteve. Në atë kohë ai iu ofrua perëndimit si partner. Tani ai e lufton rendin botëror të përcaktuar nga SHBA. Me këtë ai së bashku me sundues të tjerë autoritarë në Kinë dhe Iran e bën botën më të pasigurt. Për të gjithë, edhe për rusët. (DW)