Prandaj, fjalët “Me shpëtimtarët tanë” që shoqëronin fotot e dy zyrtarëve të lartë kosovarë me Hillary dhe BillClinton, do të duhet të jenë të shkruara përgjithmonë në memorien tonë kolektive. Nuk është koha për amatorizma, dhe aq më shumë për nxitje të lëkundjeve të orientimeve strategjike. Është një moment ku skena ndërkombëtare ka impakt të madh dhe një vëmendje më e madhe ndaj saj është prioritet!
Nga Nazim RASHIDI
Interneti ishte në “flakë” në mëngjesin e sotëm kur po zgjohesha. ElonMusk kishte bërë një tweet ku thoshte: “NextI’mbuying Coca-Cola to put cocaineback again” (Gjënë e radhës do blej Koka Kolën, për ta ia rikthyer kokainën sërish”.
Jo, jo, nuk e lexuar gabim!
Por më shumë se sa një shaka, në debatet e mëdha globale, dhe efektet që do ketë mundësia e blerjes së Twitter-it nga ElonMusk, ky tweet në vetvete është shqetësues sepse tregon, sa do shaka (unë qesha me lot), se sa e rrezikshme mund të jetë kur vendimet mund të merren nga një person, e sidomos nga një person që mund të mos ketë ndjeshmëritë e duhura, dijen e duhur, por edhe dëshirën për demokracinë. Por ky tweet tregon edhe një gjë, se sa jemi jashtë debateve dhe madje edhe zhvillimeve ndërkombëtare që mund të kenë impakt edhe tek ne. Çështja e blerjes së Twitter-it nga ElonMusk, nuk është vetëm çështje e ekstravagancës dhe luksit të pa imagjinueshëm që mund t’ia lejojë vetes një njeri, por është një debat për lirinë e shprehjes, e sidomos kontrollit të një kanali aq të madhe komunikimi. Nëpërmjet këtij kanali, pra Twitter-it, DonaldTrump vetëm pak muaj më parë përhapte ideologjinë e tij, e cila shpesh kishte të pavërteta, e cila çoi në protesta dhe vuri në dyshim thelbin e demokracisë amerikane. Ai nuk është më në Twitter. Por nëse një njeri ka pushtet të vërë, të heqë kë të dojë, ose madje edhe të përforcojë apo anashkalojë ide të caktuara, impakti do jetë i madh. Dhe ky ndikim, mos ketë iluzione, nuk është se nuk do vijë edhe tek ne, cili do qoftë ai.
Pra është një diskutim serioz, pushteti që mund të marrë një person, mbi një platformë, pavarësisht se atë e bën në formë legale. Aq më tepër se si do ta ushtrojë më pas atë pushtet. E kur jemi tek pushteti, shikoni se çfarë po i bën botës një njeri: Vladimir Putin.
Analogjia mund të jetë krejt e ndryshme dhe mbase e pa krahasueshme. Por në esencë kemi një njeri, pushtetin dhe çfarë bën ai. Në rastin e Putin, ai po vë botën në flakë. Frika për luftën e tretë botërore dhe bombat atomike asnjëherë s’ka qenë kaq e madhe, që nga Lufta e Dytë Botërore. Për luftën në Ukrainë, politika ka më shumë reagime tek ne. Së fundmi madje Talat Xhaferi, Kryetari i Parlamentit, një nga zyrtarët më të lartë të rajonit, jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, ishte në Ukrainë. U takua edhe me Volodimir Zelenskin, presidentin e Ukrainës. Kjo në vetvete, shkon përtej një vizite protokollare, ose dhe një vizitë Marrëdhënie me Publikun, ku politikanët duan, siç bëjnë rëndom, të reklamojnë vetveten. Ka rëndësi sepse tregon qartë një përcaktim thelbësor se në cilën anë të zhvillimeve globale gjendet vendi.
Çështja e Musk, është virtuale, ende. Por çështja e luftës, viktimave, vuajtjeve dhe pasojave që sjellin zhvillimet në Ukrainë, janë aq reale, sa s’mund të rrihet indiferent. Por përtej kësaj, në fakt vizita në Ukrainë e Xhaferit, tregon se sa s’mund të qëndrohet anash zhvillimeve ndërkombëtare dhe sidomos mostrajtimi i tyre në shoqërinë tonë, siç duhet, mund të sjellin ndikime të tjera të padëshiruara. Nuk ishin dhe nuk janë të pakta deklarimet pro Rusisë e Putinit, dhe sado që mund të habisin qëndrime të tilla, ato edhe pse vinë nga qarqe të caktuara dhe qëllime po aq të mirë përcaktuara, një nga arsyet që “kalojnë” e “haen” është se nuk ka një qasje më direkte si në diskursin publik, ashtu edhe atë institucional për zhvillimet ndërkombëtare. Rastet tregojnë se vëmendjet duhet të jenë më të hapura ndaj asaj që ndodh në botë.
Një ngjarje tjetër e madhe ndërkombëtare ishin edhe zgjedhjet në Francë. Por, a kishin vëmendjen e duhur? A reagoi politika, për shembull, me një vëmendje të theksuar ndaj këtij zhvillimi me një ndikim direkt tek vendi, njerëzit por edhe e ardhmja? Jo.
Nuk flas për reagime të lehta politike, që ishin një ngjitje e reagimeve pas fitores së Macron. Por për reagime dhe analiza, se ç’do të thoshte nëse Mariene Le Pen vinte në krye të Francës. Sigurisht që jo.
Nuk jam i sigurt nëse dikush nga politikanët tanë, as edhe ata të rinjtë, madje që duhet të jenë më progresivë, kanë ndjekur debatet, kanë analizuar deklaratat. Të tmerrshme ishin propozimet e Le Pen, por aq të frikshme ishin edhe krahasimet që bëheshin me Kosovën, shqiptarët dhe Francën. Por jo. Asnjë reflektim në raport me zhvillimet ndërkombëtare, as madje edhe me ato evropiane që aq shumë synojmë drejt tyre. Më bëri madje përshtypje një status i një politikani të ri që merrej për shembull me qortimin ndaj SHBA-ve, për politikat e saj në Palestinë. Do thoni OK, ja një reagim për politikat ndërkombëtare. Por çështja është, në kohë të një përcaktimi gjeopolitik e gjeostrategjik, ku nuk duhet të ketë dilema se me kë je, a nuk do ishte më e duhur që këta politikanë të rinj, t’i tregojë mbështetësve të tyre se ku duhet të përkasim, se cilat linja ndërkombëtare na bëjnë dëm e cilat na zhvillojnë.
A ende do ushqehet politika nga “folklori” banal i çajtoreve ku Putini, bie ose nuk bie në gjunjë? Është dëshpëruese që këta politikanë të rinj, ashtu si ata të mëdhenjtë, mos lënë dyshime se ku përkasim, dhe sidomos kush janë aleatët tanë. Aq më shumë nuk duhet të nxisin dyshime për këto linja orientuese gjeopolitike. Nuk është koha e lëkundjeve, por e një qëndrimi të qartë dhe përforcimit të konstatimit se bota është aq e lidhur, sa që nga Musk, e deri tek Putin, të gjithë kanë ndikim tek ne sot. Por ne duhet të dimë ku jemi. Ndërkohë ku jemi ne kam përshtypjen se më qartë në këtë kohë e artikuloi delegacioni i Kosovës në varrimin e Sekretares historike të Shtetit Madeleine Albright. Vendi ku ishin ulur me kë u takuan Albin Kurti dhe Vjosa Osmani tregon se çfarë rëndësie ka SHBA për rajonin dhe kjo padyshim asnjëherë nuk duhet të lëkundet.
Prandaj, fjalët “Me shpëtimtarët tanë” që shoqëronin fotot e dy zyrtarëve të lartë kosovarë, me Hillary dhe Bill Clinton, do të duhet të jenë të shkruara përgjithmonë në memorien tonë kolektive.
Nuk është koha për amatorizma, dhe aq më shumë për nxitje të lëkundjeve të orientimeve strategjike. Është një moment ku skena ndërkombëtare ka impakt të madh dhe një vëmendje më e madhe ndaj saj është prioritet!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)