Shkup, 9 janar – Skuadra e FC Shkupi ka vazhduar me seancat stërvitore në kuadër të përgatitjeve për sezonin pranveror. Seancat siç dihet po zhvillohen në stadiumin në lagjen Gjorçe Petrov, ku do të qëndrojë deri më 20 janar para se udhëtojë për në Antali të Turqisë. Në qendrën përgatitore në Turqi, bardhekaltërit do të zhvillojnë edhe pesë ndeshje miqësore, ndërsa në mesin e kundërshtarëve do të jenë skuadrat e njohura si Karabag, Anzhi dhe Çernomorets Odesa.
Ndryshe, atmosfera në kampin bardheblu është shumë e mirë, ndërsa në mesin e futbollistëve po mbizotëron një atmosferë e shkëlqyer, atmosferë e cila dukshëm është përmirësuar pas ardhjes së sponsorit të ri, pronarin e “Grup Impeks” Shefqet Demiri. Në anën tjetër, kapiteni Suad Zendeli ka folur për synimet e klubit dhe kundërshtarët që do ti kenë në Antalia të Turqisë.
“Me të vërtetë është kënaqësi të kesh asi lloj kundërshtari, pasi Karabagu është një pjesëmarrës në Ligën e Kampionëve. Do përballemi me Karabagun, Anzhin dhe Çernomorets. Do të matim forcat me skuadrat kualitative që do të na shërbejnë edhe neve që të jemi në kampionat edhe më cilësor që shpresojë të kapim ato vende që ne i prenotojmë ose i kemi vendosur si objektiv në kampionat. Besoj se ne nuk përcaktojmë vend por do të synojmë që të ngjitemi sa më lartë pse mos të shpresojmë edhe më shumë”, tha për “Alsat-m”, Zendeli.
Ndërkohë, para së të shkohet në Turqi, FC Shkupi do të testojë forcat me të rinjtë e kësaj skuadre , në një miqësore më 14 janar, ndërsa katër ditë më vonë do të përballen me një skuadër kualitative para shkuarjes në Antalia.