Nga Emin AZEMI
Kur një medie merret me problematizmin e një teme të caktuar, kjo zakonisht mund të ndodhë për dy arsye: Ose tema mbulon një qark të ngushtë interesash meskine të njerëzve, ose ajo rrezaton një dimension më të gjerë, duke u bërë, kështu, preokupim i një publiku më të gjerë. Në rastin konkret, ne si gazetë, jo një herë kemi zgjedhur pikërisht këtë qasjen e dytë, duke qenë të bindur se një prej qëllimeve fundamentale të gazetarisë hulumtuese është t’u jepet zë atyre dukurive e ngjarjeve të cilat dikush qëllimisht dëshiron t’i fsheh dhe t’i heshtë.
Tash së fundmi, Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë ka publikuar zyrtarisht të dhënat buxhetore për projekte që duhet të financohen në vitin 2018. Lajthitja kryesore që po mundohen ta përhapin disa zyrtarë nga kjo ministri ndërlidhet me parametrat kuantitativ, ndërkohë që ne si gazetë po këmbëngulim që cilësia dhe kriteret të jenë parametra bazë mbi të cilët buxhetohen projektet e caktuara. Pra, askush deri më tani nuk e ka kontestuar mbështetjen financiare të kulturës shqiptare me shifra që i afrohen 30 përqindëshit, ashtu siç kanë dëshirë të thonë nga kjo Ministri, ndonëse edhe në sferën e shifrave mbeten shumë paqartësi, por ajo që vazhdon të mbetet preokupim parësor i ekipit hulumtues të gazetës sonë ngërthen një dimension krejt tjetër: Kujt dhe pse iu ndanë gjithë ato para?
Nga kontrollimi i detajuar i gjithë dokumentacionit dhe të dhënave të domosdoshme zyrtare (edhe jashtë kësaj ministrie), rezulton se Ministria e Kulturës sivjet ka bërë shkelje të rënda duke përqendruar projektet e financime në disa individë, të cilët për publikun që ndjek rrjedhat kulturore te ne janë totalisht anonimë dhe, për pasojë, individë të tillë “rastësisht” kanë qëlluar të jenë ose të punësuar në këtë ministri, ose të kenë lidhje familjare e farefisnore mes veti.
Nga ky kontrollim gjithashtu na rezulton se qëndrueshmëria e projekteve lë shumë për të dëshiruar në pikëpamje të misionit dhe objektivave që ato duhet të kenë në përhapjen dhe afirmimin e vlerave kulturore, si mision emancipues, dhe prodhimtarisë krijuese, si inkurajim i domosdoshëm i autorëve që kanë nevojë për mbështetje institucionale.
Shumica e projekteve që sivjet Ministria e Kulturës ka vendosur t’i mbështes financiarisht jo vetëm që nuk kanë të bëjnë fare me vlerat kulturore, por ato sikur e bastardojnë këtë atribut, sepse nuk kemi dëgjuar që synetimi të paraqet ndonjë vlerë kulturore ndër ne, ashtu siç po mundohet të na e thotë kjo ministri, duke ndarë afro 10 mijë euro në njëfarë projekti që po marrka me krasitjet mashkullore ndër shekuj në trevat tona iliro-dardane. Ne si gazetë jemi munduar të hulumtojmë rëndësinë e këtij projekti, por deri më tani nuk arritëm të kontaktojmë një ekspert të vetëm i cili do të na elaboronte shkencërisht dhe më gjerësisht synetllëkun si trashëgimi kulturore tek shqiptarët. Ndoshta Ministria e Kulturës po i mban fshehur primesat etno-kulturore e antropologjike të sinetllëkut, duke pretenduar se vetëm Sekretari dhe ndonjë anëtar komisioni, mund të kenë të drejtën ekskluzive të posedimit të patentës për synetim.
Mesazhi që po dërgon Ministria e Kulturës me këtë metodologji kontroverse të buxhetimit të projekteve e individëve të caktuar, është tejet cinik në vetë thelbin e vet.
Dikush që rastësisht qëllon të kalojë nëpër Maqedoni, sidomos në mjediset urbane ku jetojnë e veprojnë shqiptarët, do të vërejë se këtu tradita e organizimit kulturor të shqiptarëve paska marrë fund, sepse po të ishte ndryshe nuk do të shkurtoheshin drastikisht fondet buxhetore për dy ansamblet kulturo-artistike – “Xheladin Zeqiri” i Tetovës dhe “Emin Duraku” Shkupit, duke ndarë më pak se 200 mijë denarë (më pak se 3 mijë euro.). Por, “ekspertët” kulturorë që merren me ndarjen e financave publike kanë dashur të na thonë se kultura elitare të shqiptarët duhet të riorientohet nëpër shoqata e grupe muzikore rurale, duke mos kursyer madje afro 50 mijë euro për një të tillë në rrethinat e Shkupit.
Krejt në fund: Kjo metodologji zbulon paradoksin e shtrembërimit të pasqyrës reale, teksa mundohet t’i prezantojë gjithë njerëzit e dijes e kulturës shqiptare si figura plastelini që marrin formë varësisht se në duart e cilit “ekspert” të synetllëkut qëllojnë. Por, ne nuk jemi figura. Jemi më shumë se kaq. (koha.mk)