Këngëtarja Syarta i përgjigjet pyetësorit të famshëm të Prustit, i cili nxjerr në pah të gjithë qenësinë dhe dashurinë e saj per jetën dhe muzikën, ndërsa i sjellim kështu për InfraRed të gazetës KOHA për të mësuar anën tjetër të saj!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Çfarë është lumturia absolute për ju?
Përsa i përket lumturisë absolute, do të thoja që është diçka që nuk ekziston. Njeriu në jetë duhet të jetë i përgatitur vetëm për të keqen, pasi mendoj që lumturia është thjesht një iluzion. Njeriu është një qenie e pangopur, kurrë nuk mjaftohet me atë që ka,por është i prirur të kërkojë më shumë. Për sa kohë kemi nevoja dhe jemi në kërkim të diçkaje, atëherë nuk mund të jemi të lumtur.
KOHA: Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Kur zgjohem në mëngjes, kam dëshirë për të bërë diçka në shërbim të vetes, por edhe të bëj mirë dhe kjo është motoja që më ndjek çdo sekondë të ditës…
KOHA: Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Në përgjithësi gjëja më e lehtë që mund të bëj është të qesh. Më pëlqen të qesh dhe mundohem që të hap gjithnjë situata, të cilat të bëjnë të qeshësh.
KOHA: Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Çiltërsia dhe dëshira për ti parë të tjerët të lumtur.
KOHA: Defekti juaj kryesor?
Të dyja këto që përmenda më lart…
KOHA: Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?
Toleroj gabimet e të tjerëve, por nuk toleroj gabimet e mia..
KOHA: Hera e fundit që u përlotët?
Nuk e mbaj mend.
KOHA: Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Historia është një nga lëndët që nuk më ka pëlqyer kurrë, pasimësuesit nuk ma kthyen në një lëndë të dashur, kështu që nuk e identifikojë me asnjë… Por, do të doja që të lija edhe unë ndonjë gjurmë të vogël në të . Ndoshta mund të ndodh që të lë ndonjë gjurmë në historinë e këngës. Por, puna vazhdon…
KOHA: Udhëtimi juaj i preferuar?
Nuk është se kam udhëtuar shumë nëpër botë, por Europa është shumë e bukur. Ndërsa, vendi që do të doja të vizitoja dhe që nuk kam për të ikur në botën tjetër pa e parë, është Venecia. Më duket vendi më romantik, frymëzues dhe artistik në botë.
KOHA: Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Paulo Coelho, Hossein.. Por, ato çka lexoj më shumë janë librat E shkruar për muzikën, dua të di gjithçka për të sepse e dua me gjithë qenien time.
KOHA: Cilin virtyt vlerësoni më shumë te një mashkull? Po tek një femër?
Tek të dy do të vlerësoja të njëjtën gjë. Përgjegjshmërinë për veten dhe për të tjerët. Duhet të ndërgjegjësohen se nuk janë të vetëm në këtë botë, por janë pjesë e një grupimi të madh e të një hapësirë, ku çdo qenie është ndryshe dhe të kenë forcën të përballen me këto qenie dhe me realitetin ashtu siç është.
KOHA: Kompozitori juaj i preferuar?
Nga klasikët do të thoja me plotë goje G.Puccini.
KOHA: Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Çdo këngë të fundit që publikon Capital T…(Buzëqesh)
KOHA: Ngjyra juaj e preferuar?
E bardha.
KOHA: Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Akoma nuk e kam arritur. Kësaj pyetje duhen të kalojnë pesë vjet që ti përgjigjem.
KOHA: Pija juaj e preferuar?
Ujë dhe Red Bull.
KOHA: Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Jam penduar për kohën e harxhuar kot…
KOHA: Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Mosmirënjohjen.
KOHA: Frika juaj më e madhe?
Zhgënjimet nga pritshmëritë.
KOHA: Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Për t’ju shmangur ndonjë zënke të panevojshme ose kur ka situata që gënjeshtra ime mund të jap forcë dikujt për ta bërë të ndihet më mirë.
KOHA: Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?
Kurrë.
KOHA: Cila është motoja juaj?
Çohu, buzëqesh, bëj diçka për veten që të bësh diçka për të tjerët!
KOHA: Si do të dëshironit të vdisnit?
Në mënyrën më të padhimbshme të mundur, për veten dhe për personat, që më duan.
KOHA: Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?
Do ti thoja shumë gjëra. Ndoshta, s’do ti kisha lënë radhë të fliste. (qesh) Do ti kërkoja që kur të bjerë shi, pikat e ujit të të lagin vetëm tokat e të pasurve dhe në tokat e të varfërve të zëvendësoheshin me shi parash dhe ushqimesh se ne këtë vend ku jetojmë, njerëzit nuk po shohin asnjë dritë jeshile për të jetuar atë çka duan. Por, po jetojnë atë që iu imponohet. Do ti kërkoja lirinë e të gjithëve dhe të krijonte mundësinë që në mendjet e njerëzve të kishte vetëm paqe dhe qetësi. Oh, shumë nga këto të dyja.