Serbia më nuk është pro ruse. Kështu u shpreh një gjeneral amerikan. Pritja e të dërguarit të presidentit Trump në Beograd ishte një atmosferë tjetër politike: festë! Dhe, a mund të ndodh shpejt ndonjë gjë e rëndësishme apo kështu do të jetë jeta politike. Çfarë bënë Evropa, Amerika apo Rusia?
Nga Idro SEFERI
Nuk e dita nëse këtë kohë më bëri përshtypje më shumë fakti që familjes së Kim Kardashiani është mërzitur të qenurit në televizion pa shumë arsye. Por, lajmi për ndërprerjen e mundshme të serialit mbi jetën e familjes Kardashian dukej mjaft i dhimbshëm, por njëkohësisht i arsyeshëm. Një komentatorë në radio si për ironi tha: pse tash kur jemi mësuar dhe jo në fillim. Tani ti na nevojitesh. Por, megjithatë po vendos të shkruaj diçka tjetër më të mirë: politikën në Ballkan dhe se si ne jemi kërthiza e botës. Shumë besojnë se kjo zonë e Evropës është porta në mes të Lindjes dhe Perëndimit, madje në një konstatim gjeopolitik besohet se këtu do të thyhen heshtat gjithmonë sa i përket asaj që quhet një politikë globale, sa për ndikimin rus, amerikan, por tani edhe një ndikim Evropian të ndarë prej linjës tradicionale Amerikë-Evropë dhe pyetja është se kush tani është Perëndimi. Por, ajo që në Serbi ndodhi javën që shkoi bëri disa ndryshime duke e sjellë një marrëveshje të re për fillimin e punës së Agjencisë Amerikane për Zhvillim (DFC), në Serbi. Shkurt ngjarja u paraqit kështu: Serbia arriti marrëveshje me DFC për të hapur një zyrë në Serbi dhe këtë marrëveshje e arriti me Serbinë, por për projekte me sa kuptova, bëhet fjalë për projekte amerikane për të gjithë rajonin. Bukur!
Serbia e paraqiti këtë me të drejtë si një ngjarje historike pavarësisht se amerikanët kanë dhënë donacione për këtë shtet gjatë gjithë këtyre viteve. Pjesa historike ka të bëjë me mënyrën e paraqitjes pasi një ngjarje e tillë e rivendosi Serbinë në një listë jo vetëm të shteteve miqësore, por edhe e ktheu në një vend të sigurt për investimet amerikane dhe ia fshiu shumë pjesë të historisë së shkuar, pavarësisht se ende ekziston një animozitet për shkak të bombardimeve të NATO-s. “Ku janë amerikanët aty është e ardhmja”, tha shkurt presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Këtë me pak fjalë e sqaroi edhe kështu duke folur për rajonin: “kundër marrëveshjes janë ata politikan që nuk duan progres dhe me politikat e tyre duan që të jemi në vitet ‘90”. Kur tha këtë papritmas iu kujtua edhe një gjë: “unë mendoj se kam dalë nga vitet ‘90”, potencoi për të mos ngelur borxh që të mos bënte si i pa përfshirë. Por, a po përballemi me një vetëdijësim politik në Ballkan është pyetja? Ndoshta po në kuptimin rajonal pak sa në sferën publike politike, por brenda vet shteteve dhe prezantimit politik të këtyre sukseseve dhe ideve ndoshta jo dhe aq. “Kosova shtet-NATO”- ose krijesë quhej dikur në Serbi. Tani nuk i përmendim më këto gjëra por jemi tek të “ashtuquajturat”.
Tani erdhi edhe deri tek një grindje me Rusinë për shkak të postimeve që pati zëdhënësja e Kremlinit, Marija Zaharova, e cila tha se ishte keqkuptuar kur kishte nxjerrë fotot e këmbëve të kryqëzuara të Sharon Stone në filmin “Basic Instinct”, kur përqeshte uljen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, para atij amerikan në një karrige të vogël. “Turp. 100 herë turp”, i tha Marko Gjuriq, shefi i zyrës për Kosovën dhe së shpejti ambasadori i ri serb në Amerikë. Por, të gjitha këto ngjarje nuk kanë aq shumë rëndësi sa fakti që u trajtua në media që Kosova nuk i kishte shtruar një darkë përfaqësuesit të presidentit Trump, Richard Grenell, i cili në Serbi u prit në një anije në lum pikërisht me tingujt e këngëve të Alabamës. Ajo që ndodhi është e sigurt: Serbia është në një listë mjaft të pranueshme për Amerikën. “Është marrëveshja më e mirë në 140 vjet”, i shtoj Vuçiq një ton rëndësie historike këtij momenti. Nuk duhet harruar këtu që edhe vet presidenti e shumë zyrtarë të tjerë kanë qenë në lista që shpesh nuk kanë mundur as të udhëtojnë dikur në Amerikë. Por, përse jo të krijohet një moment i ri. Në këtë frymë amerikanët do ta ndihmojnë renovimin e shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë, një ndërtesë përballë qeverisë që prej vitit 1999 simbolizon atë që viteve të fundit serbët sërish e quajnë agresion. Por, natyrisht po i lëmë këto në vitet e ’90. Përveç Rusisë dhe Amerikës në lojë janë edhe ata nga Bashkimi Evropian që duken si të tërhequr dhe sikur se janë në një teren të huaj, ndonëse në vazhdimësi mundohen të reklamojnë se donator kryesorë është Bashkimi Evropian dhe se kjo është e ardhmja. Por, më shumë këtu duken si sportelista të ndonjë kase bankare pasi nuk duket se plani i madh për një aktivizim të fuqishëm pas dështimit të Federica Mogherinit dhe duket se e ka idenë që do të ketë takime më të shpeshta, emisarë politik për zgjidhje dhe procese të tjera, por që nuk japin shumë me sa duket në teren pasi më interesant është shembull që liqeni i Ujmanit ose Gazivodës e ka zgjidhur konfliktin në mes të Kosovës dhe Serbisë duke gjetur një emër të tretë dhe të fuqishëm: Liqeni Trump. Sa bukur!
Por, mbase nuk duhet ankuar pasi në këtë frymë të paktën po ndodh diçka më interesant dhe ndryshe nga proceset e tjera dhe në formën e vet të çuditshme, po korr sukses duke sjellë marrëveshje dhe duke ngrirë konfliktin të paktën për një vit. Kur bëhet zgjidha përfundimtare nuk ka rëndësi pasi, siç do të vlerësonin disa politikan e analist është krijuar një moment. Ndoshta këto ngjarje e kanë të nevojshme njëra tjetrën dhe duhet të sillen në pika të tilla që historisë shqiptaro-serbe i japin një kolorit tjetër. Personazhet vijnë e shkojnë dhe vetëm ata të Hollywoodit zgjasin me dekada. “Keep up with Kardashians”, se episodi i fundit do të jetë vitin e ardhshëm. A thua çfarë do të ndodh në fund? Shpresoj që marrëveshja të kryhet bashkë me episodet e fundit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)