Delvina KËRLUKU
Suzana Saliu u lind në vitin 1960, në Saraj të Shkupit. Arsimin fillor e kreu në shkollën “Boris Kidriç” (sot “Dituria”), arsimin e mesëm në shkollën “Zef Lush Marku”, Shkup. Arsimin e lartë në Fakultetin Juridik në Prishtinë (1984). Studimet pasuniversitare: magjistër e shkencave juridike me temë: “Ombudsmani – përvojat evropiane dhe përvojat në Maqedoni”, Fakulteti Juridik në Prishtinë, 2008. Për disa vite punoi si gazetare në gazetën “FLAKA” si dhe korrespondente dhe bashkëpunëtore në disa gazeta ditore në gjuhën shqipe; Në vitet 1997-2006 – zëvendëse e Avokatit të Popullit të Republikës së Maqedonisë; 2006 – e angazhuar në Sektorin joqeveritar si nënkryetare dhe anëtare e bordit të organizatës joqeveritare “Transparencë – zero korrupsion” (sot Transparency International – Maqedoni”) – anëtare e organizatës ndërkombëtare kundër korrupsionit “Transparency International” me seli në Berlin, ku gjithashtu e udhëhoqi projektin ALAC (Qendra për Përfaqësim dhe Këshilla Juridike), e mbështetur nga MPJ-ja e Gjermanisë; 2009-2011 – prokurore publike në Prokurorinë e Lartë Publike – Shkup dhe anëtare e KD-së të Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë; 2011 – e zgjedhur për deputete, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI); Në seancën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë të mbajtur më 12 korrik 2011, zgjidhet nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Ka marrë pjesë në projekte shkencore – hulumtuese, ka punime (kolumna) të botuara, lidhur me të drejtat e njeriut. Drejtore e Qendrës për menaxhimin e krizave dhe aktualisht (sërish) kryen funksionin Zëvendëse e Avokatit te popullit. Ajo thotë se edhe përkundër kësaj karriere të pasur profesionale, identiteti i saj më krenar mbetet “bija e Hoxhës së Sarajit”.
KOHA: Zonja Saliu, keni qenë gazetare, deputete, zëvendëse kryeparlamentare, drejtore e Qendrës për menaxhimin me kriza, së fundi edhe zëvendëse e Avokatit të Popullit. Ku e keni ndjerë veten më mirë dhe pse?
SALIU: Po, të gjitha këto funksione i kam ushtruar. Mbase, një periudhë kam qenë e angazhuar edhe në sektorin joqeveritar, në organizatën më të njohur ndërkombëtare kundër korrupsionit, ‘Transparency International’, Maqedoni. Kam kryer edhe funksionin e prokurorit publik në Prokurorinë e Lartë në Shkup, para se të zgjidhesha deputete në vitin 2011. Gjatë kryerjes së punëve përherë jam udhëhequr nga parimet e profesionalizmit, ndershmërisë dhe të qenit e drejtë. Besoj se të gjithë ata që më njohin dhe kanë ndjekur punën time e ndajnë këtë mendim. Këto funksione kanë qenë shumë të rëndësishme dhe secila më prestigjioze se tjetra. Pra, këto parime, gjithsesi se kanë ndikuar në ngritjen e karrierës time, por të mos harrojmë se ndonjëherë karriera është edhe “jazi”. Puna e gazetarit në gazetë mban përgjegjësi të madhe dhe ato qe janë thënë asnjëherë nuk i merr era. Përkundrazi, janë një dëshmi e përhershme për hulumtuesit. Natyra e temave dhe mënyra se si i shqyrtoja bënte që ato të zinin vend në faqet e para te gazetës, sidomos ato që kishin të bëjnë me shkeljen, respektimin dhe afirmimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ndoshta kjo bëri që në vitin 1997 të jem një kandidate e pakonkurrencë si zëvendëse e Avokatit të Popullit. Qasja serioze ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve që ankoheshin në këtë Zyrë, por edhe suksesi në zgjidhjen e tyre më shndërruan në sinonim të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, që pastaj të jem e pa konkurrencë si kandidate për deputete në rajonin e Sarajit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011. Me Qendrën e menaxhimit të krizave, e cila konsiderohet ndër drejtoritë më të mëdha, kam udhëheqë në një periudhë krize, ajo e refugjatëve. Në një periudhë, në vitin 2015, kishte raste kur në Republikën e Maqedonisë hynin edhe nga 10 mijë refugjatë e migrantë në ditë. Ky menaxhim ka kërkuar një përkushtim pothuajse ditë e natë. Tërë kohën kanë qenë në funksion forumet më të larta të krizës, ndër të cilët edhe Shtabi kryesor me të cilin udhëhiqja unë. Ka qenë shumë vështirë të gjejmë një balans delikat në mes të drejtave të njeriut, çështjeve të sigurisë dhe obligimeve ndërkombëtare që i kemi si shtet. Nëse ju bëjmë një vështrim konkluzioneve të Shtabit kryesor që kanë të bëjnë me refugjatët, lehtë do të konstatojmë se ato udhëhiqen parasegjithash nga parimi i të drejtave të njeriut dhe humanizmit. Pastaj, në gusht të vitit 2016 rajoni i Shkupit dhe Tetovës u ballafaqua edhe me një fatkeqësi të madhe natyrore- vërshimet e mëdha, që për fat të keq patëm edhe viktima, e që disa nga pasojat ndjehen edhe sot, por që vazhdojnë të eliminohen. Edhe menaxhimi i kësaj krize ka kërkuar një përkushtim të vazhdueshëm. Por, ta kemi te qartë, për dallim nga krizat e shkaktuara nga politikat e këqija dhe liderët e politikanët e këqij, që mund me sukses të menaxhohen nga politikat e mira dhe njerëzit e mirë, fatkeqësitë elementare, nuk mund të menaxhohen qind për qind. Puna në këtë institucion pikërisht në gjendje krize, më ka bërë shumë të fortë dhe sypatrembur profesionalisht. Nuk ju frikohem sfidave të asnjë institucioni. Fati më ndihmoi që unë mirëqenien time profesionale sërish ta gjej në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit, në zyrën e Avokatit të Popullit. Një virtyt i imi i natyrshëm dhe një përkushtim që e kam për zemër. Por, kjo karrierë kaq e bujshme ka edhe anën tjetër të medaljes. Rënie, heshtje dhe përjashtim disa vjeçar nga institucionet shtetërore dhe atë në fazën kur kam pasur mundësi të jap kontributin tim maksimal profesional. Asaj periudhe, vetëm dy zonja të nderuara ma kanë pyetur hallin. Mirjana Najçevska, asaj kohe udhëheqëse me zë e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni dhe Slagjana Taseva, një simbol i luftës kundër korrupsionit në Maqedoni, të cilat më ofruan që t’u bashkëngjitëm veprimtarisë së tyre. Unë zgjodha të punoj me zonjën Taseva në themelimin e Transparency International Maqedoni. Sidoqoftë, profesionalisht ndjehem me fat dhe e realizuar.
KOHA: Thonë se Ju keni qenë me fat pasi keni pasur një baba, ndonëse hoxhë, shumë përparimtar, që ka insistuar që Ju dhe motrat tuaja të kryeni fakultetet. Kush në fakt ishte babai Juaj?
SALIU: Tani më emocionuat shumë. Më bëni të ndjehem shumë e lumtur dhe krenare. Po, unë jam bija e Rifat Saliut nga Saraji, njeriut dhe hoxhës më të respektuar dhe imamit të Xhamisë së vjetër të Sarajit, ndër më të mëdhatë, më të frekuentuarat dhe mjaft me ndikim në Shkup e rrethinë. Saraji i viteve 50-ta i shekullit të kaluar nuk kishte pasur as dhjetëra shtëpi, por një xhami të vjetër e ndërtuar që nga shekulli XV, por e braktisur dhe e shndërruar në stallë për kafshë. Një hoxhë i ri nga Gërçeci i Sarajit, plot besim dhe vizion, i cili kishte kryer mësimet te dijetarët dhe ulematë më të mëdhenj të kohës në Shkup, Rufat Saliu kishte filluar një betejë që ta hap dhe gjallërojë xhaminë më të bukur në Shkup e Ballkan, xhaminë e Sarajit, objektin dhe arkitekturën më simbolike për Karshiakën dhe Dervenin e Shkupit. Ia kishte arritur, edhe pse nuk kishte qenë e lehtë beteja me institucionet e atëhershme. Qysh prej asaj kohe e pothuajse deri kur ndërroi jetë në vitin 2009, në mënyre të palodhshme, me plot përkushtim, guxim, besnikëri e parime vizionare, Rufat Saliu ka shërbyer si imam në këtë xhami të Sarajit e rrethinës. Te gjithë ata që e njohin punën dhe veprën e këtij njeriu të urtë, kur e shikojnë Sarajin e sotëm thonë se nuk dihet kush vallë e krijoi Sarajin, Xhamia ose Hoxha. Babai im ka shërbyer si imam edhe në një periudhe kur shqiptarët për shumë vite kanë qenë të përjashtuar nga institucionet. Andaj, roli i xhamisë nuk ka qenë vetëm fetar, por edhe institucional. Burimi aty është mbledhur, është informuar, ka qarë hallet, ka kuvenduar, aty madje janë marrë edhe vendime si të mbijetohet, si të përparohet. Se, përparësi patjetër duhet të ketë dija, shkollat dhe shkollimi i fëmijëve. Se vajza është e barabartë me djalin. Se një popull ka të drejta aq sa ka përfaqësuesit e vet në institucione shtetërore. Pra, edhe për këto gjera imami i xhamisë ka biseduar me popullatën. Pastaj, shoqërimi i hoxhës me intelektualët dhe patriotët më të zëshëm të kohës, e kishte bërë karakterin e tij edhe më të fortë dhe shumë largpamës.
Falë këtij botëkuptimi dhe vizioni të babait tim, unë dhe motrat e mija vazhduam shkollimin e mesëm dhe të lartë. Ishte një kohë kur vështirë shkollohej mashkulli, e lëre më femra. Shkollimi i fëmijëve të Hoxhës, ishte një shembull shumë pozitiv. Sot, me plot mburrje mund ta them se tani në Saraj kemi më shumë femra të shkolluara se sa meshkuj. Andaj, me të drejtë, Hoxha i Sarajit mbahet mend edhe si “revolucionar” i arsimit shqip. Përfundimin e karrierës dhe “hallallëkun” e tij me xhematin, babai im e ka ndërlidhur sërish me shkollimin dhe përparimin e femrës. Ai mes tjerash kishte thënë se të arriturën më të madhe të tij si Hoxhë dhe si njeri e sheh në atë “që bija e bijës time (mbesa nga Prishtina), ka arritur që të shkollohet dhe doktorojë në universitetet më të njohura të Amerikës”. Kështu e shihte botën babai im, kështu e shohim edhe ne fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij. Jo vetëm ne si familje e Hoxhës por, edhe gjithë Saraji, ndjehemi edhe më krenarë kur në dokumentet arkivore zbulojmë edhe për trimërinë dhe patriotizmin e tij. Sot, hoxha i urtë i Sarajit, babai im, Rufat Saliu, prehet i qetë në oborrin e Xhamisë në Saraj, që aq besnikërisht i shërbeu. Unë, jo rastësisht u përcaktova për studimet e drejtësisë, në Universitetin e Prishtinës pikërisht, për parimet, porositë dhe edukimin e marrë nga babai im. Ai thoshte se askush më mire se një femër nuk mund ta ndajë drejtësinë. Njeriu gjatë jetës mund të identifikohet përmes shumë gjërave, por për mua identiteti kryesor dhe më krenar ka qenë dhe do të mbetet “bija e Hoxhës së Sarajit”. Lutem vazhdimit që ta meritojë këtë.
KOHA: Jeni lindur dhe rritur në Saraj të Shkupi, i cili, natyrisht, me kalimin e kohës ndryshoi shumë. Si ishte Saraji i fëmijërisë Suaj?
SALIU: Për vendlindjen të gjithë jemi të lidhur emocionalisht. Madje, dikush edhe për një fshat të vogël është në gjendje të shprehet si për Parisin. Por, me të vërtetë Saraji i fëmijërisë, rinisë sime dhe i kohës së tanishme, mbetet pjesa më e bukur e Shkupit. Shtrirë në mes dy lumenjve, Vardarit dhe Treskës në anën tjetër, diku më lartë, edhe Matka me liqenin dhe kanjonin, ka një tokë dhe natyrë të bekuar. Shpresoj të rifunksionojë sërish Liqeni Treska, i cili gjatë viteve 80 ishte një lloj atraktiviteti për rekreacionin e rinisë së Shkupit e më gjerë. Breza të vjetër, shumë të ndershëm e punëtor, një rini shumë temperamente, shumë ambicioze, por ndonjëherë edhe e lazdruar, por që nuk kanë lënë pa dëshmuar se janë bijtë e nënave dhe baballarëve më bujarë, më punëtore e më të ndershëm. Sot, Saraji është rritur pothuajse në 50 mijë banorë dhe vlon nga rinia, emancipimi, ekonomia, qarkullimi, dendësia, infrastruktura, tani edhe funksionimi i shkollës së mesme. Saraji edhe më tutje mbetet vendi më mikpritës dhe më tërheqës për piknikë për shqiptarët e Shkupit dhe të tjerë. Në Saraj dhe rrethine ende ruhet tradita e bukur e kultivimit të qershive dhe dredhëzave të para në Shkup. Sarajin e dua shumë dhe unë jam bija e tyre.
KOHA: Meqë e përmendëm fëmijërinë, gjithsesi na imponohet edhe kjo pyetje: a ju kujtohet dita e parë në shkollë, mësuesi i parë?
SALIU: Patjetër se me kujtohet si sot. Ditën e parë në shkollë që e kemi shumë afër shtëpisë së babait në Saraj, më pat dërguar babai im dhe nuk e di kush ka qenë më i shqetësuar, ai ose unë. Shkollimin fillestar e kam filluar te mësues Iljazi (tani i ndjerë), një njeri i mrekullueshëm nga Shkupi. Pothuajse gjatë gjithë shkollimit fillor dhe atij të mesëm më ka përcjellë identiteti “bija e Hoxhës”, që me automatizëm nënkuptonte dhe kërkonte nga unë një sjellje shembullore.
KOHA: Të gjithë thonë se vitet e shkollës së mesme janë vite që vështirë harrohen. Ju shkollimin e mesëm e keni mbaruar në Gjimnazin “Zef Lush Marku”. Si ishin ato vite dhe ku gjenden sot shoqet dhe shokët tuaj. A takoheni ndonjëherë për t’i kujtuar ato ditë e kështu me radhë?
SALIU: Kam pasur fatin që në gjimnaz të jem në klasën më konkurruese të të gjitha gjeneratave të “Zef Lush Markut”. Pothuaj se të gjithë nxënës të shkëlqyer. Kemi qenë katër Suzana në klasë, më shumë vajza se djem dhe të gjithë ato i përshëndes kudo që të jenë. Shumë shpesh organizonim piknik në Saraj, mbase edhe te qershitë e familjes time, rreth Treskës. Shpresoj e gjithë klasa dhe e gjithë gjenerata të jenë mirë dhe të realizuar. Rrallë e thuaj fare takohemi në mënyrë të organizuar, por kur takohemi rastësisht kënaqemi duke pyetur e biseduar për njeri tjetrin. Nuk e harroj profesorin e nderuar, Adnan Again, i cili me shumë interesim më drejtohej se çka mendoj unë, “bija e Hoxhës”. Me shumë respekt e përkujtoj edhe profesorin e ndjerë Amet Hajdarin, i cili po ashtu kishte konsideratë. Profesor shumë serioz dhe gjeneratë shumë serioze kemi qenë.
KOHA: Nëse nuk gabohemi punësimi Juaj i parë ishte në gazetën “Flaka”, një gazetë që, bashkë me botimet e saja (libra dhe revista për fëmijë) pati rol të rëndësishëm në emancipimin e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Dikur, për çdo 4 prill shënohej përvjetori i kësaj gazete. Pse ndodhi shuarja e saj dhe, sipas Jush, cila është rëndësia e kësaj gazete?
SALIU: Menjëherë pas diplomimit në studimet e drejtësisë, u punësova në gazetën “Flaka” (asaj kohe “Flaka e Vëllazërimit”) si gazetare. Shumë shpejt dhe shumë sigurt e mora hapin, falë një klase gazetareske shumë profesionale që punonin aty. Mbase, edhe në rrethana të atëhershme (moniste) kjo gazetë ruante origjinalitetin, duke trajtuar dhe afirmuar parasegjithash interesat e shqiptarëve. Flaka asaj kohe ka qene vatër e mirëfilltë intelektuale dhe një shkollë që nxirrte në sipërfaqe dhe emra dhe pena të reja intelektuale shqiptare. Revistat “Gëzimi” dhe “Fatosi” ishin joshëse edhe për të rriturit, e lëre më për fëmijët. Ndërkaq, revista letrare -shkencore “Jehona” vazhdon të mbijetojë me sukses falë drejtuesit të saj. Botimet e “Flakës” përherë do të mbeten një dëshmi historike për pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë, si në rrethanat moniste, po ashtu edhe për fillimin e pluralizmit politik të shqiptarëve në Maqedoni. Në këtë vatër kanë punuar gazetarë shumë të guximshëm, mbase me “kërcënim” se nëse pak ndryshon esenca e materialit të dorëzuar nga “gërshërët e redaktuarës”, materiali tërhiqet në tërësi. Kishte respekt, sens dhe mirëkuptim nga ana e redaktoreve të atëhershëm. Dëshiroj që ngjashëm të jetë edhe në gazetarinë e sotme. “Flakën” nuk e mbylli as konkurrenca profesionale e as bagazhi i së kaluarës. Thjeshtë, e mbyllën rrethanat dhe proceset e reja shoqërore. Në kushte të tregut të pluralizmit mediatik është normale që diçka të shuhet, diçka e re të lindë, por diçka edhe të rilindë, pse jo. Një brend i fortë gazetaresk siç ishte “Flaka”, pse të mos rilindë përsëri!
KOHA: Valët e jetës ju “përplasën” edhe në politikë, duke u zgjedhur edhe përfaqësuese e popullit në Parlamentin e Maqedonisë. Pse shoqëria shqiptare është kaq e politizuar?
SALIU: Si femra e parë e shkolluar në rrethinën e Karshiakës dhe Dervenit, si bijë Hoxhe dhe si një profesioniste e dëshmuar, ishte një nder i madh për mua dhe familjen time te madhe, që në vitin 2011 të zgjidhem edhe deputetja e parë femër e kësaj ane, por edhe nënkryetarja e parë shqiptare e Parlamentit të Maqedonisë. Jam falënderuese e përhershme për këtë nder të madh që ma bëri BDI dhe bashkëvendësit e mi të Sarajit. Bashkërisht krijuam një histori të re të femrës shqiptare të Maqedonisë. Këtij funksioni iu përvesha me shumë përkushtim, entuziazëm, por edhe me një besim të çiltër. Asnjëherë nuk kam folur fjalë të kota. Përkundrazi, u mundova që të sjell profesionalizëm, humanizëm, madje edhe balancë edhe në politikë. Si e tillë u pranova edhe nga subjekti politik që i përkisja, por edhe nga parlamentarët tjerë, por edhe nga opinioni i gjerë. Shpesh paraqitjet e mija kanë qenë të udhëhequra nga bindjet e mija dhe profesionalizmi im shumëvjeçar. Meqë jemi te Parlamenti. Kam shumë respekt ndaj këtij institucioni dhe gëzohem që filloi bujshëm të funksionojë. Parlamenti është motori i demokracisë, aty mund të fillojnë proceset përparimtare, por aty mund te përmbyset edhe gjithçka. Duhet të jenë shume të kujdesshëm se çfarë porosie dërgojnë në opinion. Një porosi e tyre pozitive mund të bëjë mrekulli. Por tani, siç po shkojnë punët, parlamentarët dhe politikanët e Republikës së Maqedonisë, janë duke ushtruar torturë psikike ndaj opinionit. Qytetarët tanë meritojnë paqe dhe jetë të dinjitetshëm.
KOHA: Thënë kushtimisht, Ju tani i mbroni interesat e atyre që kane probleme me shtetin. Sa arrini t’i zgjidhni këto probleme, kur dihet se në të shumtën e rasteve hasni në shumë obstruksioni që ju bën shteti?
SALIU: Institucionet dhe shteti duhet ta kenë te qartë se nuk janë pronarë të të drejtave të qytetarëve, por duhet të jenë në shërbim të qytetarëve. Pikërisht këtë parim, sot e sa vjet, çdo ditë, mundohet ta proklamojë Avokati i Popullit të Republikës së Maqedonisë. Por, në rrethana të këtilla politike në të cilën po kalon Maqedonia aktualisht, është shumë vështirë të flasim për të drejtat e njeriut dhe qytetarit të Maqedonisë. Për çfarë mirëqenie dhe sigurie juridike mund të flasim. Edhe në kushte të këtilla Avokati i Popullit është shumë aktiv dhe vazhdon të besojë se liritë dhe të drejtat e njeriut nuk kanë alternativë dhe kompromise, qoftë fjala edhe për shoqëritë ende të pakonsoliduara dhe me demokraci në zhvillim, siç është Maqedonia.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara