Mesfushori i kombëtares argjentinase Gonzalo Maroni ka kryer sot vizitat mjekësore në Itali, ku pritet të luajë me skuadrën e Sampdoria sezonin e ardhshëm sportiv 2019-2020. Interesimi i skuadrës xhenoveze për talentin e kombëtares së Argjentinës ka mbetur sekret deri më sot, kur lojtari zbarkoi në Itali.
Ai luajti me kombëtaren U-20 të Argjentinës në botëror dhe pas eliminimit nuk ka udhëtuar në vendlindje por në Xhenovë, për të firmosur kontratën me skuadrën e tij të re. Për Maroni janë interesuar disa skuadra, jo vetëm në Itali.
Gjithsesi, duket se Sampdoria ka qenë më e shkathët, duke paguar 15 milionë euro për Maroni, në pronësi të Boca Juniors, por që sezonin e fundit luajti në formë huzimi me Talleres.
Një shumë që është më e lartë se ajo e ofertave të tjera që Maroni kishte marrë nga Spanja e Anglia. Përveç Maroni, skuadra e Sampdoria është pranë afrimit të një tjetër talenti të botërorit U-20, italianit Andea Pinamonti, që luan me Frosinone.