Omer XHAFERI
Shkup, 16 maj – Mos shqyrtimi në kohë i lëndëve gjyqësore të cilat Gjykata Supreme e Maqedonisë i ka proceduar gjatë vitit të kaluar në masë të madhe i referohet zvogëlimit të përbërjes gjyqësore, e cila me këtë situatë ballafaqohet një kohë të gjatë, shkruan gazeta KOHA. Ky konstatim është potencuar në raportin e fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka thënë se gjatë vitit 2016 janë proceduar mbi 4 mijë lëndë të natyrave të ndryshme, me çka rreth 2 mijë lëndë kanë ngelur pa u shqyrtuar. Në bazë të të dhënave që i përmban ky raport, thuhet se në Sektorin e veprave penale përgjatë vitit 2016 ka pranuar mbi 600 lëndë të reja, gjegjësisht numri i plotë i këtyre lëndëve së bashku me rastet e trashëguara nga vitit paraprak, ka shkuar deri në 1 mijë lëndë. Kësisoj, Gjykata Supreme ka arritur që të sjell vendime për 590 lëndë, ndërsa deri në fund të vitit që e lamë pas kanë ngelur pa u zgjidhur edhe 376 lëndë gjyqësore. “Faktor të shumtë kanë ndikuar që numri i lëndëve të pazgjidhura të jetë ky që është. Njëkohësisht këtë situatë e ka shkaktuar edhe rritja e numrit të lëndëve në përgjithësi, në këtë rast ato të krimi të organizuar, raste këto mjaftë të ndërlikuara dhe voluminoze për të cilët nevojiten përpjekje të mëdha dhe afat më i gjatë kohor për shqyrtim efikas”, thuhet në raporti Gjykatës Supreme. Duke i numëruar arsyet shtesë të mos procedimit të kohë të lëndëve, nga Gjykata Supreme kanë nënvizuar se përfshihen edhe natyra dhe karakteri lëndë për të cilët duhet të merret vlerësim edhe nga Prokuroria e shtetit. Ashtu siç është paralajmëruar deri më sot, edhe në këtë rast Gjykata Supreme, ka njoftuar se një kohë të gjata ata përballen me mungesë të numrit adekuat të gjykatave, në mesin e të cilëve edhe të bashkëpunëtorëve profesional. Me qëllim rritjen e efikasitetit në punë të kësaj gjykate, në raportin e punës për vitin 2016 kanë theksuar se përbërja gjyqësore duhet të sistemohet në mënyrë permanente. “Përkundër rrethanave objektive, respektivisht mungesës së resurseve njerëzore, me një organizim të mirëfilltë në radhë të parë për lëndët nga Sektori i veprave penale, ne vitin 2016 e kemi përmbyllur me sukses. Gjykatësit dhe këshilltarët e gjykatësve në këtë Sektor brenda vitit që e lamë pas kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me udhëheqësin zyrës së daktilografisë dhe me të gjithë daktilografët të cilët në mënyrë profesionale, me durim, në kohë i kanë përpunuar të gjitha llojet e vendimeve dhe materialeve tjera të cilat i kanë përgatitur gjykatësit dhe këshilltarët e tyre”, thonë nga Gjykata Supreme. Nga ana tjetër, Sektori i veprave civile, sipas të dhënave që janë publikuar në raportin e punës të Gjykatës Supreme, gjatë vitit të kaluar ka arritur që ta zvogëlon vëllimin e punës për 181 lëndë më pak se viti paraprak. Ky rezultat, siç thuhet në raport, është arritur përkundër faktit se përbërja e gjykatësve që i procedon këto lëndë për dallim nga vitit 2015 ka qene më e vogël. Ndryshe, pengesë kryesore e Sektorit për shqyrtimin e lëndëve që nuk janë sjellë në afat ligjore, siç thuhet në raport ka qenë mungesa e shkresave, dokument ky i cili është i domosdoshëm kur dorëzohet kërkesa për procedimin e një lëndë të kësaj natyre. Në shtjellimin e kësaj problematike, nga Gjykata Supreme kanë thënë se mos kompletimi i dokumentacionit shpesh ndodhë në lëndët e materies administrative.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara