Si shkaqe kryesore se pse ngadalë tregjet e humbin primatin karshi supermarketeve vlerësohet mundësia që amvisëritë në një vend furnizohen me të gjitha artikujt e nevojshëm ushqimor, si dhe mundësia të paguhet edhe me kartela kreditore në vend të parave të gatshme në dorë siç praktikohet në pazare
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 qershor – Vitet e fundit, në Maqedoninë e Veriut po vërehet trendi që një pjesë e blerësve orientohen në blerjen e pemë-perimeve nga tregjet e gjelbërta në supermarketet e mëdha. Këtë e dëshmojnë edhe analizat e ndryshme. Shitja në tregjet e gjelbërta shënon ulje prej 10 deri 20 për qind , pasi supermarketet e mëdha ju ofrojnë blerëseve – krahas artikujve të tjerë, edhe pemë dhe perime, tregojnë analizat e grupacionit të tregjeve pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA. Si shkaqe kryesore se pse ngadalë tregjet e humbin primatin karshi supermarketeve vlerësohet mundësia që amvisëritë në një vend furnizohen me të gjitha artikujt e nevojshëm ushqimor, si dhe mundësia të paguhet edhe me kartela kreditore në vend të parave të gatshme në dorë siç praktikohet në pazare. Njëherazi, në uljen e qarkullimit në tregjet e gjelbërta ndikon edhe mungesa e kohës të të punësuarve që shpesh e kanë të pamundur të frekuentojnë tezgat në treg, derisa supermarketet kanë orar të zgjatur të punës. Kohë më parë, edhe Sistemi bujqësor informativ i tregut publikoi anketë që tregon se ka rritje të blerësve që preferojnë supermarketet para tregut të gjelbërt, sidomos te furnizimet me pemë-perime.
“40 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se furnizohen njësoj në shitore dhe treg, ndërsa 20 për qind janë përgjigjur se e kanë të njëjtë apo njësoj se a blejnë një njërën apo tjetrën pikë të shitjes”, tregon anketa. Në pyetjen pse blejnë në tregjet e gjelbërta, 20 për qind e qytetarëve të anketuar janë përgjigjur se është më lirë, 30 për qind janë përgjigjur se malli është më cilësor dhe 50 për qind janë përgjigjur se kanë mundësi që në një vend të furnizohen me pemë-perime.
Nga ana tjetër, në pyetjen pse kanë zgjedhur marketin, 20 për qind janë përgjigjur se shkaku është orari i punës dhe pamundësia të shkojnë në tregun e gjelbër, 25 për qind janë përgjigjur se këtë zgjedhje e kanë bërë për shkak se kanë mundësi që vetë të zgjedhin prodhimet bujqësore, ndërsa 55 për qind janë përgjigjur se kanë zgjedhur marketin për shkak se kanë mundësi që në një vend të furnizohen me të gjithë artikujt e nevojshëm ushqimor për në amvisëri.
Në ndërkohë, edhe shitësit nëpër tezga thonë se ka ulje të shitblerjes. “Është vështirë të thuhet se pse kemi ulje të punës. Shtrohet pyetja nëse ka të bëjë kjo me uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve, ikjes së madhe të popullatës jashtë si blerës potencial që më nuk i kemi këtu, apo thjesht një pjesë e blerësve po orientohen të blejnë në marketet e ndryshme”, thotë Hasani, një shitës në Bitpazar të Shkupit. Në tezgën tjetër shtojnë se edhe kushtet jo të mira në tregjet e gjelbërta dhe mos investimi me vite në modernizimin e tregjeve shkakton që njerëzit të humbin shprehinë të vijnë të blejnë në pazar.
“Tregu i gjelbërt është treg i gjelbërt, dhe ne kemi myshterinj të rregullt që e dinë se këtu ka mall për çdo xhep, ku mund të blihen prodhime bujqësore nga bujqit që vetë prodhojnë dhe shesin prodhimet e tyre, e që janë më të freskëta se në supermarkete, ku ndodh që malli të mos harxhohet edhe për disa ditë”, thotë Trajçe , një shitës tjetër në treg. Nga ana tjetër, blerësit thonë se shpesh preferojnë të blejnë në vendet që i kanë më afër vendit të punës apo banimit. “Në dyqan kam mundësi që vetë të zgjedh mallin, ndërsa në treg shpesh ndodh që të mos fitojë atë që e kam zgjedhur apo ndodh që shitësit të vendosin ndonjë copë të kalbur të pemë-perimeve. Tjetra është se në markete mund të blej edhe me kartelë”, thotë një blerës i gjeneratës më të re.
Nga ana tjetër, më të moshuarit thonë se blerja në treg paraqet një ndjesi të veçantë, sepse në stinën e pranverës apo vjeshtës mund të vëresh një begati të ngjyrave dhe aromën e këndshme të pemë-perimeve të freskëta. Gjithashtu, shtojnë ata, ke mundësi që të shëtisësh të gjithë tregun, apo të gjitha tezgat dhe vetë të zgjedhësh atë që të pëlqen për blerje. Ndryshe, në të ardhmen sfidë për tregjet e gjelbërta në vend mbetet modernizimi i tyre, krijimi i kushteve të mira për punë e pazarxhinjve si kur është nxehtë ashtu edhe kur bën ftohtë, si dhe investimet në tregjet e gjelbërta që ato të jenë më tërheqës karshi supermarketeve moderne që sa vjen e më shumë po bëhen një konkurrencë serioze e tregjeve të gjelbërta. (koha.mk)