Superliga Evropiane: Cili është formati i saj dhe kur fillon

40

Superliga Evropiane u formua zyrtarisht të dielën pas mesnatës nga 12 klube të mëdha evropiane dhe gara mund të fillojë hiç më larg se në gusht të këtij viti.

Superliga u formua nga 12 klube të mëdha spanjolle, angleze dhe italiane, si Real Madrid, Barcelona, Atletico Madrid, AC Milan, Arsenal, Chelsea, Inter, Juventus, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham.

Asaj pritet t’iu bashkohen edhe tri klube të tjera anëtare të përhershme në ditët në vijim.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez është emëruar president i Superligës. Padroni i Juventusit, Andrea Agnelli, është emëruar zëvendëspresident bashkë me kryetarin e Manchester Unitedit, Joel Glazer.

Klubet e shpalosën formatin e Superligës përmes një komunikate për media.

Liga do të duket kështu:

Do t’i ketë 20 klube pjesëmarrëse, 15 prej të cilave do të jetë klube themeluese dhe të përhershme në ligë. 5 ekipe të tjera do të kualifikohen për këtë garë çdo vit bazuar në arritjet e tyre në sezonin paraprak.

Ndeshjet do të zhvillohen në mesjavë, në mënyrë që klubeve t’iu mundësohet të luajnë në ligat e veta vendore, për ta mbrojtur kalendarin tradicional të ndeshjeve në ligat vendore.

Liga do të fillojë në gusht çdo vit dhe do t’i ketë dy grupe me nga 10 ekipe. Ndeshjet në fazën grupore do të zhvillohen vajtje-ardhje. Tri ekipet e para në grup kualifikohen automatikisht në çerekfinale.

Ekipet që përfundojnë në vendet katër dhe pesë do të takohen në një play-off me dy ndeshje për vendet e mbetura çerekfinale.

Më pas, do të përdoret një format eliminimi direkt me dy ndeshje për ta arritur finalen në fund të majit, njëlloj si në Ligën e Kampionëve që e njohin sot.

Klubet njoftuan në deklaratën e tyre se gara do të nisë në gusht dhe Sky Sport Italia raporton se ato po bëjnë përpjekje të mëdha për ta nisur edicionin e parë këtë gusht, menjëherë pas Euro 2020.