Organizata më e lartë futbollistike evropiane, UEFA ka publikuar sot emrat e 9 stadiumeve kandidatë për të mirëpritur finalen e Super Kupës UEFA, për edicionin e vitit 2020, sipas propozimeve nga federatat e shteteve të ndryshme të interesuara për këtë eveniment të rëndësishëm. Pikërisht në krye të kësaj liste, të favorizuar nga rendi alfabetik, qëndron kandidimi i FSHF-së për të mirëpritur në stadiumin “Arena Kombëtare” Superkupën e Evropës 2020. FSHF ka rikandiduar kështu, për të dytin vit radhazi, pasi nuk u përzgjodh një vit më parë, duke qenë kësaj here përkrah tetë shteteve të tjera kandidate, Bjellorusia, Finlanda, Franca, Izraeli, Kazakistani, Moldavia, Irlanda e Veriut dhe Portugalia. Lajmi është publikuar nga UEFA në faqen zyrtare, duke bërë me dije se procedura për dorëzimin e ofertave për stadiumin që do të mirëpresë Superkupën e Evropës 2020, është çelur më datë 8 dhjetor 2017. Federatat të cilat mirëpresin ndeshje nga Kompeticionet e UEFA 2020 nuk kanë qenë të vlefshme për tu kandiduar. Komiteti Ekzekutiv i UEFA do të përzgjedhë stadiumin fitues, që do të mirëpresë finalen e Superkupës së Evropës 2020 brenda muajit maj 2018.
Nëntë federatat që kanë paraqitur interesimin në UEFA janë:
1. Shqipëria, Tiranë, “Arena Kombëtare”
2. Bjellorusia, Minsk, “Dinamo Stadium”
3. Finlandë, Helsinki, “Helsinki Olympic Stadium”
4. Francë, Nice, “Grand Stade de Nice”
5. Izrael, Haifa, “Sami Ofer”
6. Kazakistan, Almaty, “Almaty Central Stadium”
7. Moldovia, Chisinau, “Zimbru Stadium”
8. Irlanda e Veriut, Belfast, “National Football Stadium” në Windsor Park
9. Portugali, Porto, “Dragão Stadium”